2009-07-29 17:56:31

Mëse 40 viktima në ndeshjet me armë në Nigeri


(29.07.2009 RV)RealAudioMP3 Mëse 40 vetë mbetën sot të vrarë në Nigeri, gjatë ndeshjeve me armë ndërmjet forcave të rendit dhe ekstremistëve islamikë. Që nga dita e dielë, viktimat e kanë kaluar numrin 300. Sipas lajmeve nga vendi, në ndeshje nuk janë përfshirë të krishterët, për të cilët është kërkuar mbrojtja e qeverisë. Por cilat janë arësyet e këtij konflikti? Të dëgjojmë Enriko Kazalen nga revista “Popujt”:
Brenda vendit përballen dy kultura të mëdha: ajo islamike, e natyrës arabe, dhe ajo afrikane. Në veri, shtetet janë me shumicë myslimane, ndërsa në jug janë të krishterë – animistë. Konfrontimi ndërmjet këtyre dy kulturave shpesh kalon në dhunë, e kjo varet sidomos nga varfëria e skajshme në të cilën jetojnë popullsitë.
Ekstremistët islamikë kërkojnë zbatimin e sharisë në zonat ku myslimanët janë shumicë. Ç’ndikim mund të ketë kjo, sidomos në jug?
Mund të shkaktojë mënjanimin e popullsive katolike, anglikane dhe protestante. Gjithashtu, jugu është i pasur me naftë. Nigeria është një nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë të naftës dhe e ndan me Angolën primatin afrikan. Kjo tërheq shoqëritë shumëkombëshe të naftës, të cilat shfrytëzojnë intensivisht puset, në kushte që nuk respektojnë as rregullat më elementare për mbrojtjen e ambientit. Ndotja e tij ka keqësuar jetën e popullsisë. E kjo gjendje shkaktoi rebelimin e udhëhequr nga organizata Mend, rebelët e Deltës së Nigerit.







All the contents on this site are copyrighted ©.