2009-07-29 18:11:20

Eprori i përgjithshëm i Jezuitëve, Atë Adolf Nicolàs, për vizitë në Afrikë


(29.07.2009 RV)Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, Atë Adolf Nikolàs, ndodhet përsëri në Afrikë, e pikërisht në Buzhumbura të Burundit, ku më 22 deri më 27 të këtij muaji, u mbajt Kongresi Botëror i ish-nxënësve të jezuitëve.
Atë Nikolàs e nisi vizitën më 25 korrik, duke u takuar me autoritetet civile e fetare të Burundit e, më pas, vizitoi Yezu Mwiza, qendër në shërbim të të sëmurëve nga Sida.
Më 26 korrik u takua me ish-nxënësit e me sivëllezërit jezuitë, të pranishëm në Buzhumbura, për ta vijuar vizitën në veprat kryesore të Shoqërisë së Jezusit, në Burundi, posaçërisht në qendrën shpirtërore të Kiririt.
Nga Buzhumbura u nis për në Bukavu, në Republikën Demokratike të Kongos, në kufi me Ruandën, për të vizituar qendrat e jezuitëve në këtë qytet: shtëpinë e ushtrimeve shpirtërore Amani, famullinë e sidomos, kolegjin Alfazhiri, ku u takua me jezuitët e zonës, me profesorët, bashkëpunëtorët dhe miqtë e Shoqërisë.
Kaloi, më pas, në Ruandë, duke u ndaluar në Siangugu, jo larg nga Bukavu, seli e noviciatit e në Kigali, kryeqytet i vendit, ku jezuitët janë të pranishëm me një mori veprimtarish. I nisi takimet në Qendrën Christus për ushtrime shpirtërore, ku më 6 prill 1994 u masakruan 17 vetë: gjashtë të reja të Lëvizjes Vita et Pax, që po bënin ushtrimet shpirtërore, katër priftërinj dioqezanë e disa vullnetarë. Ndërmjet tyre, atë Mahame, 67 vjeç, jezuiti i parë ruandez. Pikërisht në këtë vend, një vit më parë, u hap edhe shkolla fillore e Shën Injacit e cila, më pas, do të bëhet shkollë 8 vjeçare e me kohë, ndoshta edhe kolegj universitar.Në Kigali është edhe selia kryesore e zonës Ruandë-Burundi. Këtu, pranë Qendrës Christus, u mbajt sot takimi i të gjithë jezuitëve.
Nesër, nata e festës liturgjike të Shën Injacit, themelues i ‘Shoqërisë Jezus’, Atë Nicolàs do të rikthehet në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.