2009-07-28 15:11:43

Temat e Enciklikës “Caritas in Veritate” paraqiten nga sekretari i Shtetit të Vatikanit para Senatit italian


(28.07.2009 RV)RealAudioMP3 Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone shpjegoi sot para Senatit të Republikës italiane temat e Enciklikës së fundit të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”. “Ata që kanë nderin të kenë përgjegjësinë delikate për të përfaqësuar popullin – pohoi prelati – mund të gjejnë në fjalët e Papës frymëzimin e lartë e të thellë në kryerjen e misionit të tyre, për t’iu përgjigjur si duhet sfidave etike, kulturore dhe shoqërore”. E mira e njeriut dhe e shoqërisë, nënvizoi kardinal Bertone, mbështetet mbi respektimin e së vërtetës dhe mbi dashurinë e bamirësinë. Mbi këto dy shtylla duhet të mbështetet edhe realiteti aktual shoqëroro-ekonomik. Enciklika “Caritas in veritate” fton që të kapërcehet pikërisht ndarja, tashmë jashtë kohe, ndërmjet sferës ekonomike dhe asaj shoqërore:
“Veprimtaria ekonomike nuk është diçka e ndarë dhe e huaj për parimet themelore të doktrinës shoqërore të Kishës, të cilat janë: vënia e njeriut në qendër, solidariteti, susidiariteti, e mira e përbashkët”.
Doktrina shoqërore e Kishës na kujton se një shoqëri si duhet është pa dyshim fryt i tregut dhe i lirisë. Ajo propozon një humanizëm me shumë përmasa, në të cilin tregu nuk luftohet apo kontrollohet, por shihet si një moment i rëndësishëm i sferës publike. Ekzistojnë kërkesa të parimit të vëllazërimit, që nuk mund të lihen mënjanë, e as të kalojnë vetëm në sferën private apo të filantropisë, theksoi Bertone:
“Caritas in Veritate” na ndihmon të ndërgjegjësohemi se shoqëria nuk është e aftë të ndërtojë të ardhmen, nëse nuk respekton parimin e vëllazërimit; pra, nuk mund të shkojë përpara nëse zhvillohet vetëm llogjika “më jep, të jap”, ose edhe ajo “jap, se e kam për detyrë”.
Doktrina shoqërore e Kishës, vazhdoi më tej kardinali – sekretar i Shtetit të Vatikanit para senatorëve italianë, nuk duhet parë si një tjetër teori etike që u shtohet atyre ekzistuese, por si një gramatikë e përbashkët për të gjitha teoritë, pasi bazohet mbi një parim themelor: “kujdesin për të mirën e njeriut”. Efikasiteti dhe drejtësia, edhe sëbashku, nuk mjaftojnë për të siguruar zhvillimin e njerëzimit:
“Mesazhi që na lë “Caritas in Veritate” është të mendojmë se dhënia falas, e pra vëllazërimi, është pjesë e njeriut e prandaj, duhet të shohim te dhurata premisën e domosdoshme që Shteti dhe tregu të funksionojnë duke pasur si qëllim të mirën e përbashkët. Pa praktimin e gjerë të dhuratës, mund të ndërtohet edhe një treg i frytshëm e një shtet me autoritet (madje edhe i drejtë), por sigurisht, nuk mund të ndihmohen njerëzit të arrijnë gëzimin e të jetuarit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.