2009-07-28 15:11:09

Orët e fundit të pushimit të Benediktit XVI në malet e Lë Kombë. Komuna e Introdit do ta shpallë “Qytetar nderi”.


(28.07.2009 RV)RealAudioMP3 Po përfundon tashmë pushimi i Papës Benedikti XVI në Vale d’Aosta. Nesër pasdite, pasi të përshëndesë Forcat e rendit dhe autoritetet lokale, Ati i Shenjtë do të largohet nga Lë Kombë për të shkuar në Kastel Gandolfo, pranë Romës. Ndërkaq, ndërsa njerëzit presin t’i japin Papës përshëndetjen e fundit për këtë verë, komuna e Introdit ka vendosur ta shpallë Benediktin XVI “Qytetar nderi”. Në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës së Shtypit të Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi tregon se si po i kalon Papa orët e fundit në Vale d’Aosta:
Me qetësi të madhe, duke vazhduar leximin, reflektimin, lutjen, shëtitjet e zakonshme mbrëmësore, përveç atyre më të shkurtra pas buke. Nesër, kemi përshëndetjen e të gjithë atyre – e nuk janë pak – që kanë bashkëpunuar për t’i siguruar Atit të Shenjtë një qëndrim të qetë e të sigurtë në Lë Kombë. Mbrëmë, në shtëpinë e salezianëve u mbajt darka tradicionale e falenderimit për autoritetet e Vale d’Aostës, për autoritetet civile dhe ushtarake e për mjekët e spitalit. Imzot Genshvain, sekretari i Papës, solli përshëndetjen e Atit të Shenjtë, i cili do t’i falenderojë personalisht nesër këta persona, pasi – nuk duket – por edhe një periudhë qetësie për Papën sjell me vete një organizim e një impenjim të madh, që të gjithë e bëjnë me vullnet e gëzim, por që ka ndërlikimet e veta. Atmosfera e krijuar në vite ndërmjet personalit vatikanas që ndjek Papën, personelit të Shtëpisë së salezianëve, Forcave të rendit dhe autoriteteve është vërtetë një atmosferë bashkëpunimi dhe përzemërsie. Kjo shihej mbrëmë nga fjalët e presidentit të Rajonit, Augusto Rolandin, nga ato të presidentit të Këshillit rajonal, Albert Çerize e në veçanti, nga fjalët e kryebashkiakut të Introdit, Osvaldo Naudin, i cili edhe nga Papa quhet me një batutë “kryebashkiaku i përjetshëm”, pasi është që prej 30 vjetësh në atë post.
Pikërisht nga Këshilli komunal i Introdit erdhi dje lajmi se Papa do të shpallet “Qytetar nderi”…
Po, komuna vendosi ta shpallë Papën “Qytetar nderi”, pastaj Papa duhet ta pranojë formalisht këtë titull e në muajt e ardhshëm një delegacion i komunës duhet të vijë në Romë për t’i dorëzuar titullin Atit të Shenjtë. Kështu është bërë edhe herët e tjera. Edhe në të kaluarën, ka pasur komuna gjermane që e kanë shpallur Papën “Qytetar nderi” e më pas ia kanë dorëzuar titullin gjatë një audience në Romë. Titull, që natyrisht, Ati i Shenjtë do ta pranojë me përzemërsi e me falenderime për pritjen kaq të ngrohtë që i rezervohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.