Me 28 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Nazarin e Çelsin, martirë.
(28.7.2009 RV)Shën Nazari, qytetar romak, dishepull i Shën Pjetrit Apostull,
qe pagëzuar nga Shën Lini, më vonë papë. Për të shpëtuar nga inati i tmerrshëm i të
jatit, hebre fanatik e nga persekutimi kundër të krishterëve, u largua nga Roma dhe
e predikoi Krishtin në vise të tjera të Italisë, në Gali e në Treviri. E shoqëronte
një djalë me emrin Çelsi, të cilin e përgatiti vetë në fenë e krishterë, e pagëzoi
dhe e bëri shok apostullimi. Shumë shpejt të dy u kapën e, të ngarkuar me zinxhirë,
u flakën në burgjet romake. Dolën që aty, falë gruas së prefektit romak që, pas
një ëndrre të tmerrshme, iu lut të shoqit t’i lironte. Vijuan ta predikojnë Ungjillin
e Krishtit, derisa u kapën përsëri e u çuan në Romë, ku Neroni urdhëroi që Nazari
të hiqej zvarrë në tempullin e Jovit e të flijonte para idhullit. Por sapo shenjti
hyri në tempull, të gjitha shtatoret e idhujve ranë përdhe copa-copa. Pas shumë mrekullish
të tjera, që tregohen hollësisht në historinë e martirizimit të dy shenjtorëve, si
shpërtheu persekutimi në kohën e Dioklecianit, në vitin 304 pas Krishtit, u qe prerë
koka të dyve së bashku në Milano, ku e dëshmuan me gjak fenë e tyre në Krishtin. Më
vonë Shën Ambrozi i mbarti trupat e martirëve në kishën përballë Portës Romake, e
cila që asokohe quhet Kisha e Shën Nazarit. Emri Nazar vjen nga hebraishtja e do
të thotë: "I shuguruar Zotit", ndërsa Çelso, nga latinishtja, e do të thotë ‘i lartë’.
Ikonografia i paraqet gjithnjë së bashku. Mbajnë në dorë palmën, simbol i martirizimit.