2009-07-28 12:08:32

21 vjetori i vdekjes së Jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkalla S.J. gjigant i fesë e i kulturës shqiptare


(28.7.2009 RV)Atë Pjetër Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike shqiptare të periudhës së regjimit komunist, dëshmitar e mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.
26 shtator 1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës, të cilit sot i përkujtojmë 21 vjetorin e kalimit në banesën e amshuar të Atit Qiellor, nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931.
Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit. Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist e shqiptuar në kulmin e reaksionit, ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”. Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.
I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robně, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".
Në një moment tjetër, Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, rpapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!” Sot jemi të gjithë dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie e ata që gëzojnë të mirat e lirisë e të demokracisë që kanë për themel gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla.







All the contents on this site are copyrighted ©.