2009-07-27 16:52:47

Vazhdon restaurimi i Bibliotekës së Vatikanit, e cila do të hapet në vitin 2010


(27.07.2009 RV)RealAudioMP3 Dy vjet pas fillimit të restaurimit të Bibliotekës së Vatikanit, pavarësisht nga mbyllja e saj për këtë qëllim, janë shtuar disa shërbime. Për shembull është zgjeruar katalogu, që mund të konsultohet përmes internetit, dhe është rritur riprodhimi fotografik i dorëshkrimeve. Biblioteka do të hapet sërish për publikun në vitin 2010. Të dëgjojmë një bilanc të punimeve të deritanishme nga prefekti i Bibliotekës, imzot Çezare Pazini:
Dy vjet kaluan tashmë, pra të themi kaluan dy të tretat e periudhës së mbylljes; mund të them se disa gjëra janë zgjidhur përfundimisht. U transferua laboratori fotografik dhe ai i restaurimit për të ristrukturuar ambientet: tani, laboratori fotografik është kthyer aty ku ka qenë dhe është me të vërtet i bukur; kush e ka parë tri vjet më parë, thotë se tani është plot dritë. Pas rreth 2 muajsh, edhe laboratori i restaurimit do të kthehet në shtëpinë e vet e ne po punojmë me shpejtësi për këtë. Një punë tjetër që dua të vë në dukje, interesante për studiuesit që presin të konsultojnë dorëshkrimet – të cilat janë thesari ynë më i bukur, më i rëndësishëm – është fakti se dorëshkrimet, edhe ato të ruajtura përkohësisht në Arkivin Sekret të Vatikanit, po kthehen në vendin e tyre. Hap pas hapi, pasi janë transferime shumë delikate, por po hyjnë në Bibliotekë.
A ka nisma të veçanta për hapjen e Bibliotekës, për të cilat mund të na flisni që tani?
Sigurisht! Për shembull, një iniciativë është ajo e publikimit të vëllimit të parë të Historisë së Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Historia e Bibliotekës në vëllime nuk ekziston, sidomos nuk ekziston në një formë që mund të jetë e konsultueshme edhe nga kuriozët. Vëllimi i parë do të flasë për historinë e hershme të Bibliotekës, pra na çon në gjysmën e dytë të ‘400-ës e në dhjetëvjeçarët e parë të ‘500-ës, kur Papa Nikolò V caktoi njerëz për mbledhjen e dorëshkrimeve, grumbullimin e tyre në bibliotekë, të cilën e hapi për të gjithë, publikun e studiuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.