2009-07-27 16:27:21

Tensione të reja shoqërore në Argjentinë: thirrje për dialog nga qeveria dhe ipeshkvijtë


(27.07.2009 RV)Sërish tension shoqëror në Argjentinë. Përballë vështirësive ekonomike dhe politike, ashpërsohen protestat e sindikatave. Presidentja Kristina Fernandez de Kirhner bën thirrje për një dialog më të frytshëm ndërmjet sektorëve të ndryshëm të kombit.
Gjendja në vend është shqetësuese: ekonomia është sërish në një pikë kritike pasi rritet ikja e kapitalit, mungojnë investimet, rritet papunësia e kështu edhe tensioni e konflikti shoqëror. Thirrja e kryetares së shtetit vjen pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit. Zonja Fernandez de Kirhner u detyrua të ndryshonte ministrin e ekonomisë dhe funksionarë të tjerë të qeverisë.
Nga ana tjetër, Kisha katolike argjentinase po bën thirrje për dialog prej vitesh. Në një notë të Komisionit kombëtar “Drejtësi e Paqe” të Konferencës Ipeshkvnore vihet në dukje rëndësia e dialogut ndërmjet sektorëve të afaristëve, të sindikalistëve, të bujqve e të shoqërisë civile. Ftohen protagonistët e situatës të japin propozime, duke pasur si horizont respektimin e dinjitetit të personit, të mirën e përbashkët e jo interesat sektoriale. Vetë nota e ipeshkvijve propozon disa fusha të rëndësishme ndërhyrjeje, si edukimi, shëndeti, drejtësia dhe siguria e qytetarëve, reformat shoqërore e politike, modernizimi i shtetit, ambienti, bujqësia, liria dhe përgjegjësia e qytetarëve etj.. Duhet arritur në një “atdhe pa përjashtime e të përjashtuar”, thekson nota në përfundim.







All the contents on this site are copyrighted ©.