2009-07-27 16:51:41

Papa në Engjëllin e Tënzot bekon gjyshërit e mbarë botës, në festën e Joakimit e të Anës, gjyshër të Jezusit.


(27.07.2009 RV)RealAudioMP3 Dje, në festën e Shenjtorëve Joakini e Ana, prindër të Virgjërës Mari, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi të gjithë gjyshërit e botës, të thirrur për të luajtur një rol të dorës së parë në edukimin e nipërve. Benedikti XVI, i cili po përgatitet ta lërë selinë e pushimeve verore të Lë Kombë, reflektoi me besimtarët edhe për rolin e meshtarëve të të gjitha kohëve, duke i falënderuar, në përfundim, ata që e pritën me dashuri e përkushtim në periudhën e pushimeve, kaluar në Vale D’Aosta.
Të shumtë besimtarët, rreth 5 mijë vetë, ardhur nga krahina të ndryshme italiane e edhe nga vende të tjera, për të pëshëndetur Benediktin XVI në shtëpinë saleziane të Lë Kombë, para se të largohet prej këndej, të mërkurën e ardhshme, pas dy javë pushimesh ndërmjet bjeshkëve të bukura të Vale D’Aostës. Ishin ditë prehjeje, pavarësisht nga aksidenti – nënvizoi Papa - duke falënderuar përzemërsisht të gjithë ata, që e rrethuan me maturi, kujdes e përkushtim të madh: kryeipeshkvin e Torinos, kardinalin Poleto; ipeshkvin e Aostës, imzot Anfosin; famullitarin e Lë Kombë; autoritetet civile e forcat e rendit si dhe të gjithë ata, që e ndiqnin përmes radios e televizionit.

Shfletoi, pastaj, faqen ungjillore të Shën Gjonit, ku rrëfehet sesi Jezusi u dha të hanë mijëra njerëzve, vetëm me pesë bukë e dy peshq, duke e marrë që këtu shtytjen për reflektimin kushtuar misionit të meshtarit:
Në këtë Vit Meshtarak, si të mos kujtojmë se posaçërisht ne, meshtarët, mund ta shikojmë veten të pasqyruar në këtë tekst të Shën Gjonit, mund të njëjtësohemi me Apostujt, aty ku thonë: ku të gjejmë bukë për gjithë këtë mori njerëzish? E duke lexuar rrëfimin mbi djaloshin, që ka pesë bukë elbi e dy peshq, edhe ne na lind vetvetiu pyetja: “Po ç’janë këta, për një mori të tillë? Me fjalë të tjera: kush jam unë? Si mundem, me kufizimet e mia, ta ndihmoj Jezusin në misionin e tij? E përgjigjen na e jep vetë Zoti: pikërisht duke vënë në ‘duart e tij të shenjta e të nderueshme”, pakgjënë e vetvetes, meshtarët bëhen mjete shëlbimi për shumkënd, për gjithkënd”.
Më pas Papa vijoi të kujtonte Shën Joakinin e Shën Anën, prindërit e Zojës së Bekuar, gjyshërit e Jezusit. Prej këndej, ftesa për t’i kushtuar një lutje gjithë gjyshërve, të cilët në familje janë ruajtësit e traditave e, shpesh, edhe dëshmitarë të vlerave themelore të jetës:
Detyra edukative e gjyshërve është gjithnjë shumë e rëndësishme, e bëhet edhe më shumë kur, për arsye të ndryshme, prindërit nuk janë në gjendje t’u qëndrojnë si duhet pranë bijve të tyre, në sa hedhin shtat. Ia besoj mbrojtjes së Shën Anës e të Shën Joakinit mbarë gjyshërit e botës, duke u dhënë të gjithëve një bekim të posaçëm”.
E bekimi i Papës nuk ishte vetëm për gjyshërit, por për të gjithë të moshuarit, posaçërisht për ata që janë vetëm e përballojnë vështirësitë e rënda të moshës së shtyrë.
Pastaj, një porosi për shtegtarët, shqiptuar në gjuhë të ndyshme: të luten në heshtje, në këtë kohë vere; të mos e harrojnë Zotin gjatë pushimeve, kohë e përtëritjes së thellë shpirtërore, periudhë gëzimi në gjirin e familjes, ku duhet të mbretërojë fryma e dashurisë dhe e besnikërisë.
Prekëse prania, ndërmjet besimtarëve, e një vajze nga Torino, në gjendje kome prej 18 vjetësh, si dhe e disa fëmijëve të sëmurë, të cilët Papa i bekoi me dashuri atërore, Së fundi, një pëshëndetje në dialektin valdostan:
Të dashur valdostanë, jam tejet i kënaqur këtu, mes jush. Lutuni për mua e për gjithë Kishën. Të gjithëve, urime e verë të gëzuar!”.
Para kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot me Papën, bashkësia e Lë Kombë mori pjesë në Meshën kryesuar, në Aosta, nga imzot Gjuzepe Anfosi, në bashkëkremtim me ipeshvkijtë e Ivresë, Astit, Mondovisë e Ventimilja-San Remo-s. Me këtë rast imzot Anfosi kujtoi se dioqeza e tij ka përbujtur 13 herë një papë, duke vënë theksin mbi domethënien e thellë të këtij privilegji e duke i ftuar besimtarët të mos i harrojnë hiret e veçanta, që burojnë nga Benedikti XVI e nga mësimet e tij. Të thellohemi, të studiojmë më shumë seç bëjmë zakonisht – nënvizoi prelati – e të meditojmë me frymë fetare mbi atë që thotë e që shkruan Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.