2009-07-27 16:51:14

Ditët e fundit të pushimit të Papës në Lë Kombë. Ati i Shenjtë konfirmon praninë në Torino, për ekspozimin e Sindonës, në vitin 2010.


(27.07.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI po kalon ditët e fundit të pushimit në bjeshkë, në zonën valdostiane të Lë Kombë, prej nga do të largohet të mërkurën e ardhshme, për t’u rikthyer në Romë e për ta kaluar pjesën tjetër të verës në Kastel Gandolfo. Dje, fraksioni i vogël i Introdit ishte protagonist i një çasti festiv afërsie me Papën, i cili kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot në praninë e mijëra njerëzve, që u mblodhën këtu për të dëgjuar fjalët e tij e për t’i shprehur, edhe një herë, keqardhjen për aksidentin e dhjetë ditëve më parë. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë, e përshkruan kështu ditën festive, që jetoi dje Benedikti XVI:
 
Përgjigje: - Ishte ditë e një feste të madhe, sepse edhe koha ishte e ndritshme e njerëzit erdhën me shumicë: së paku 5 mijë vetë, të pranishëm edhe në Meshën, kremtuar nga ipeshkvi i Aostës. E pastaj, takimi me Papën ishte vërtetë festiv. Papa ishte në formë shumë të mirë e aksidenti i rrëzimit, dukej i shkuar e i harruar, pavarësisht nga allçia, që e pengon Atin e Shenjtë të përdorë lirisht dorën e djathtë. Madje kjo pamje e Papës me krahun e palëvizshëm, me të cilin megjithatë dha bekimin apostolik, ngjalli shumë simpati e shumë afërsi në zemrën e të gjithë atyre, që e ndoqën me dashuri gjatë këtyre ditëve. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua edhe me grupe të ndryshme e, sidomos, me disa të sëmurë. Ishte një çast tepër i rëndësishëm takimi.

Pyetje: - Dje, Papa – siç ndodh shpesh në rrethana të tilla – mundi të ketë disa të ftuar për drekë, posaçërisht kardinalin Severino Poleto, kryeipeshkëv i Torinos dhe ipeshkvin e Aostës, imzot Anfosin…

Përgjigje: - Po, është normale që në raste të tilla Papa të ftojë disa miq, sipas mundësive që krijon hapësira e selisë së tij. Ishte ipeshkvi i dioqezës, imzot Anfosi, e ishte i pranishëm edhe kardinali Poleto, i cili tani është shumë i zënë, shumë i përqëndruar në programin e ekspozimit të Sindonës, në pranverën e ardhshme. Është ngjarje e madhe kishtare, në qendër të vëmendjes të kryedioqezës së Torinos. Natyrisht kardinali Poleto e njoftoi Papën lidhur me përgatitjet dhe e ftoi përsëri të jetë i pranishëm. Papa, siç e ka thënë edhe më parë, kur u fol për ekspozimin, kofirmoi se ka dëshirë të jetë në Torino për këtë rast, ndonëse data, natyrisht, mbetet për t’u caktuar.

Pyetje: - Për Benediktin XVI afrohet tashmë dita, kur do të përshëndetet me Lë Kombë. Është përcakuar programi i rikthimit në Romë?

Përgjigje: - Po, ndërsa dita e sotme dhe ajo e nesërme parashikohen shumë normale, shumë të qeta, e mërkura do të jetë e ngarkuar me impenjime, sepse paradite Papa do të përshëndetet me forcat e rendit, me zjarrfikësit, me punonjësit e mbrojtjes civile, domethënë me të gjithë personelin, që kreu shërbimin gjatë qëndrimit të Papës në Lë Kombë dhe që i garantoi sigurinë e qetësinë. Ndërsa pasdite, do të jetë përshëndetja e autoriteteve. Rreth orës pesë parshikohet nisja me helikopter drejt aeroportit Torino-Kazele e pastaj, me avion, deri në Çampino-Romë. Në përfundim, menjëherë para darkës, kalimi në Kastel Gandolfo, ku Papa do të kalojë javët e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.