Atë Jakob Marlekaj OFM, një jetë të tërë në shërbim të Fesë e të Kombit.
(27.7.2009 RV)Kujtojmë sot françeskanin shqiptar Atin Profesor Jakob Marlekaj
në gjashtë vjetorin e vdekjes. Luigji, ky ishte emri që i vunë prindërit në pagëzim,
lindi në fshatin Plan të Dukagjinit më 19 nëntor 1906 në familjen dukagjinase Marlekaj.
Kur ishte ende i vogël, në Plan erdhi një famullitar i ri: Atë Justin Rrota, që hapi
pranë kishës një qendër misionare. Aty mësuan shkrim e këndim shqip shumë malësorë
të vegjël të Planit e të Gjurajve. Në mes tyre edhe Luigji i vogël, që u bë shpejt
një nga nxënësit më të dashur të fratit- mësues, i cili, me miratimin e prindërve,
e çoi të vijonte mësimet në shkollën françeskane në Shkodër, hapur që në vitin 1861
nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës. Në vitin shkollor 1924-1925 u regjistrua në
liceun françeskan Illyricum. Tashmë e kishte zgjedhur rrugën e vet, që do ta çonte
larg nëpër universitete e kuvende të ndryshme françeskane të Italisë, duke nisur nga
Firence, ku nisi studimet për të përfunduar në Bari, ku drejtoi katedrën e gjuhës
e të letërsisë shqipe e ku jetoi deri sa mbylli sytë, më 27 korrik të vitit 2003.
I la trashëgim kulturës shqiptare një pasuri të vërtetë shkrimesh, studimesh gjuhësore,
hulumtimesh, dokumentesh, që ruhen në Bibliotekën e re françeskane në Shkodër. Prej
tyre po kujtojmë vetëm veprën së cilës i kushtoi gjithë jetën: “Pjetër Bogdani dhe
Shqipëria e kohës së tij”, botuar në Bari më 1989. **** Ja edhe një përshkrim
më të hollësishëm mbi figurën e jashtëzakonshme e kontributin e çmueshëm të Atë Jakob
Marlekaj në fushën e kulturës së historisë së popullit shqiptar, ngaGjovalin
Çuni FRATI NDRIÇUES I TRADITAVE KULTURORE SHQIPTARE Atë Jakob Marlekaj
pjesën më të madhe e kaloi jashtë vendit pa reshtur asnjëherë së punuari për kishën,
kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare. Lindi me 29 nëntor 1906 në Plan të Dukagjinit,
në familje te Tush Markut. Qe djali i fundit nder pesë vëllezërit. Emri i tij ishte
Luigj. Mësimet e para i mori në vendlindje, nën kujdesin e atë Justin Rrotës , i cili
e dërgoi për të vazhduar studimet në kolegjën françeskane, kur drejtor ishte atë Gjergj
Fishta. Gjashtë vjet pasi frekuentoi këtë shkollë, u largua në vitin 1932 në Trashan,
ku kryen njërën nga etapat më të rëndësishme të përgatitjes, atë të “noviciatit”.Në
vitin 1925 kthehet përsëri në Shkodër për të përfunduar liceun “Illyricum”, maja më
e lartë e kulturës shqiptare. Pas mbarimit të këtyre studimeve në vitin 1928 dërgohet
nga eprorët e tij në Arezzo, ku përfundon studimet teologjike dhe bëhet prift më 14
korrik 1931, me emrin Jakë, emri i meshtarisë. Mësimdhënës, drejtues e përkthyes Kthehet
në Shkodër në vitin 1932 ku i besohet detyra e mësimdhënësit në lëndët klasike, gjuhë
e letërsi italiane. Në këtë periudhë 1932-1937 lindën revistat prestigjioze të kohës
si “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout” , periodik të cilin do ta drejtojë vetë
deri në vitin 1937. Gjatë viteve 1937-1940 prezentohet në faqet e kësaj reviste me
përkthimin e librit për fëmijë “Zemër në Udhëtim “ e shkrimtarit Milly Donde, botur
më vonë si libër në vehte me 206 f. Përkthimi dallohet për elegancë. Me vonë përkthen
mjeshtërisht poemën melodramë të Fishtës “Jerina regina dei fiori”. Profesori
i Universiteteve italiane Në vitin 1937 , atë Gjergj Fishta , atëherë Ministër
Provincial i fretërve e dërgoi përsëri në Bolonjë të Italisë, Atë Marlekajn për të
plotësuar studimet e larta. Marlekaj regjistrohet në fakultetin e Letërsisë në Universitetin
e Bolonjës, ku ndoqi kurset me drejtim filologjik-linguistik dhe në tetor 1941 mbron
desertacionin “La grafia nell- uso degli scritori albanesi 1462-1908” duke patur si
realtor prof. Gino Bottiglioni. Disertacioni i Marlekajt mori votat e plota dhe lavdërime
nga vlerësuesit. Kjo punë shkencore e tij është një kontribut me vlera për historinë
e alfabetit të shqipes duke qenë ndër të parat trajtesa sistematike të këtij argumenti.
Pas diplomimit, Atë Marlekajt iu besua detyra e lektorit të gjuhës shqipe, pranë Universitetit
të Bolonjës e më vonë pranë Universitetit Katolik "Sacro Cuore" në Milano . Studentët
që frekuentonin kurset e tij ishin 120 . Së bashku me profesor G. Botiglioni kishin
rënë dakord që të formonin pranë Institutit të Glotologjisë në Bolonjë, një Institut
të studimeve albanologjike, por ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore e penguan ta realizonte
këtë projekt. Në vitin 1943, kur forcat aleate filluan të bombardojnë rrugët e
komunikimit Atë Marlekaj u transferua në Milano ku jepte mësim në universitetin Katolik
“Sacro Cuore” . Në gusht të vitit 1943 bombardimet shkatërruan pjesën më të madhe
të Universitetit duke shënuar edhe largimin e të gjithë mësimdhënësve ndihmës, mes
të cilëve edhe patër L. Marlekajn. Studies i zellshëm i traditës kulturore
shqiptare. Gjatë kësaj periudhe Marlekaj publikoi disa punime të shkurta, mes
të cilave “Studi linguistici albanesi, Lanima dell albania nel canto di Giorgio Fishta”,
Per lo stuido delle palatali albanese” si dhe fashikullin: Appunit del corso di lingue
e leteratura albanese” Më 6 mars 1954 fiton titullin "docent i lirë" me vlerësimin
“ Doktor Marlekaj jep informacion të pasur dhe të saktë për letërsinë shqipe , përdor
metoda shkencore në punët e tij, zotëron një përdorim elegant të gjuhës letrare, mund
të emërohet”docent i lirë”. Në vitet e para të pasluftës Marlekaj rifilloi studimin
e shkrimtarëve të vjetër, mes të cilëve edhe transkriptimin e “Pasqyrës të Rrëfyemit
“ të Pjetër Bogdanit. Në vitin 1952 publikon në revistën “Annali Lateranesi” një
nga punimet më të rëndësishme shkencore “Aspetti di ospitalita indoeuropea presso
gli Albanesi” Më 1961, transferohet në Bari si profesor i rregullt pranë Fakultetit
Pedagogjik, ku dha mësim për më se 30 vjet në lëndët Gjuhë e Letërsi Shqipe. Shumica
e nxënësve ishin italo-shqiptarë. Marlekaj ishte bashkëpunëtor dhe anëtar i këshillit
drejtues të revistës “Shejzat”, në të cilën publikoi herë pas here studime letrare
dhe gjuhësore. Në vitin 1956, në Palermo, me rastin e Kuvendit të Katërt Ndërkombëtar
të studimeve Shqiptare, paraqiti temën “Guisepe sciro e le tradizioni populari albanesi”,
publikuar më pas në Bari në vitin 1996. Një vit më vonë, në vitin 1966 u paraqit me
temën “Scanderbeg nella tradizioni popolari". Udhëtimet e shpeshta shkencore e
shtynë drejt hulumtimeve në një sërë arkivash e bibliotekash, në kërkim të materialeve
të panjohura apo pak të njohura. Në bibliotekën qendrore të Firences zbuloi një dorëshkrim
të 1500-tës, “Vite uomini illustri antichi e moderni”, që përfshinte edhe jetën e
Skënderbeut. Vendosi të studioj dorëshkrimin dhe e publikoi në Romë më titull, ”Vita
di scanderbego di un storico cinquentista italiana”. Në mënyrë të veçantë Marlekaj
i kushtoi shumë kohë njohjes dhe studimit të veprës së shkrimtarëve të vjetër shqiptarë.
Që nga vitet 40 të shekullit të kaluar ai u njoh me veprën e Buzukut, për të kaluar
tek Budi, nga i cili ngeli pa u botuar Pasqyra e të Rrëfyerit, e pajisur me një hyrje
dhe aparat kritik, e pastaj tek Bogdani. Në vitin 1978 për shkak të moshës Marlekaj
doli në pension, gjë që i la kohë t'i kushtohej tërësisht veprës më të rëndësishme
të tij , “Pietro Bogdani e l/Albania del suo tempo" , "Pjeter Bogdani dhe Shqiperia
e kohës së tij", punim që u publikua në vitin 1989. Jetës dhe veprës së Bogdanit,
do t'i kushtojë rreth 25 vite studimi, që pasqyrohen në veprën që kemi përmendur më
lartë. Kjo vepër është vlerësuar si monografia më e mirë botuar deri më sot për Bogdanin.
Mbi argumentin ka mjaft teste që për shumë arsye ishin të panjohura, duke qenë pjesë
e arkivave të mbyllura për publikun dhe të paarritshme për studiuesit shqiptarë të
pasluftës. Kështu të dhëna të reja mbi jetën dhe veprën e Bogdanit riintrepretojnë
dokumente të dorës së dytë ose të tretë natyrisht, pa mundur të shpërndajnë errësirën
që rrethonte jetën e tij. Studimi i Marlekajt rikthen figurën reale të Bogdanit duke
hedhur dritë mbi personalitetin e shkrimtarit më te rëndësishëm të letërsisë së vjetër
shqiptare. Kohët e fundit, Marlekaj ishte duke përpunuar rishikimin e veprës së tij,
të cilës do t'i bashkëngjitej edhe një kapitull i fundit që do të trajtonte historinë
e errët të Bogdanit, të grindjeve të nipave të prelatit me jezuitët e Bohemisë Biblioteka-
bërthamë e bibliotekës së Provincës së re françeskane Gjatë viteve të gjata
të aktivitetit shkencor dhe didaktik, Marlekaj ka krijuar edhe një bibliotekë të pasur
me 3000 libra, me argumente të ndryshme, para së gjithash në fushën e albanologjisë
e gjuhësisë. Biblioteka e tij për një periudhë kohe u vendos pranë Kuvendit Franceskan,
ngjitur me Kishën San Gregorio VII në Romë, nën kujdesin e P.Daniel Gjecajt, ish-
nxënës i Marlekajt në liceun "Illyricum" të Shkodrës, vëlla e mik në emigrim. Ndërsa
tani, librat e At. D. Gjecaj, P.Margjokës, e përbëjnë bërthamën e bibliotekës së re
të provincës françeskane shqiptare, që ishte shkatërruar dhe shpërndarë në bibliotekat
lokale, pas Luftës së dytë Botërore nga Qeveria komuniste. Përveç librave, pranë Kuvendit
të Shën Antonit, në Bari, ku jetoi dhe punoi Marlekaj, ndodhen një grumbull mijëra
kopjesh , riprodhimesh fotografike të dokumenteve të mëparshme të Shqipërisë së viteve
1700-ta. Pas rihapjës së :” Hyllit të Dritës”, të ndaluar nga komunistët në
vitin 1944, Marlekaj rifilloi bashkëpunimin më këtë revistë duke publikura periodikisht
disa studime. Vlerësimet për Marlekajn. Në vitin 1998 Këshilli shkencor i
Institutit të Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Barit ka pranuar që një pjesë
e veprës së Marlekajt të publikohet. Në motivacionin që e shoqëron botimin thuhet:"
Publikimi i volumit të shkrimeve në nderë të Marlekajt, synon vetëm të nderojë njerën
nga figurat më të shquara të albanologjisë ndërkombëtare. Prof Marlekaj ka dhenë një
shërbim të vyer për një kohë të gjatë pranë Fakultetit të gjuhësisë në universitetin
barez gjatë dhjetëra viteve të dhimbjes dhe vetizolimit kaotik dhe kulturor në të
cilin ishte zhytur Atdheu i tij i origjinës. Falë aktivitetit shkencor e didaktik
të tij, ai zgjoi vëmendjen dhe intersat e studiuesve italianë për historinë dhe kulturën e
popullit shqiptar . Studimet e tij synojnë të nxjerrin në pah hershmërinë e traditave
popullore shqiptare, historinë e gjuhës shqipe, origjinalitetin saj indoevropian ". Më
14 janar 1997 , Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha i akordoi Jak Marlekajt Urdhërin
e Artë “Naim Frashëri” me motivacionin, për kontributin e shquar në fushën shkencore
albanologjike si dhe për zhvillimin e letërsisë shqipe. Atë Marlekaj përveç që
u dallua si studiues, ai mbeti para së gjithash një frat i vogël shembullor, i përpiktë
gjithnjë i gatshëm kundrejt çdokujt që kishte nevojë për një këshillë shpirtërore.
Ishte jo vetëm mësues por edhe një dëshmitar apostolik. Në figurën e tij janë
mishëruar të gjitha llojet e personaliteteve si: prifti, diplomati, akademiku, mësuesi,
kolegu, bashkëqytetari etj..