2009-07-27 17:38:54

Atë Gjon Shllaku, martir në përvjetorin e lindjes


(27.7.2009 RV)Atë Gjon Shllaku OFM, lindi në Shkodër, më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër).
Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931.
Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër).
Regjimi komunist e arrestoi para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe e pushkatoi më 4 mars 1946 së bashku me Atë Gjon Faustin, Atë Daniel Dajanin, me seminaristin Mark Çuni,e Qerim Sadikun.
Fjalët e tij të fundit para ekzekutimit për vdekje me 4.03.1946, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shenjt, si në të gjitha kohët heroike. Martir i vërtetë.
Atë Gjon Shllaku në kujtimin e ipeshkvit imzot Zef Simonit e françeskanit Atë Daniel Gjeçajt.
Nga: Imzot Zef Simoni Ipeshkëv
Dita e 29 nandorit 1944 ra në qetësi, në një heshtje, e u duk një ditë si kot. Ditë e vrantë, pa diell. Orë-orë nisi të binte një shi i imtë, për të ba baltë rrugash. S’ka gajle. Prej balte jemi krijue edhe na njerëzit. Këndohej me krenari kanga: “Po ngrihet flamuri i çlirimit”. Po ky çlirim, a nuk asht fillimi i një epoke të madhe, me vjet e dekada që do të vente në lëvizje çdo njeri për të mirë o për të keq, i cili do të jetojë në këtë kohë të maskave dhe në këtë tokë të tmerreve.
Nata e parë e çlirimit ra, u err. Pritej dita. Dita dhe ditët dolën pa u pa ma asnjë dritë. Mos vallë, kjo asht dita në të cilën njeriu nuk asht as në qiell, as në tokë?
Mbas datës 29, kësaj ditë fikse të qahmetit, më dukej se shkolla françeskane kishte marrë një pamje tjetër. Profesorët freten kishin fitue një shkathtësi, një lice energjik. Ora e filozofisë e Pader Gjon Shllakut ishte shumë tërheqëse. Studentët që ishin ma të mëdhaj se unë, rrijshin rreth Pader Gjonit në oborrin e shkollës, kishin dëshirë të bisedojshin me atë. Një ditë njeni e pyet se çka ishin këto punë që po ngjajshin. “Mos u çuditni për asgja, u tha Padreja. Çka do të ngjasë, do të çuditej bota”.
Atë dimen kishte një rregull të mëshehtë. Filloi kontroll ushtarak në qytet për të zbulue njerëz të atdhetarizmit, të quejtun reaksionarë prej pushtetit të ri komunist e sllav. Pasioni shqiptar i çlirimit punonte me materien për të arrijtë ta bajë të birin e Adamit gjarpen rreth pemës. Punohej për të dalë njeriu i zgaçun që nuk do t’i vijë erë njeriu e kjo bahej me një lloj revolucioni minut për minut, që nuk të len kohë me hanger, as me pi, as më fjetë, as me mendue, që do të vazhdojë për gati 50 vjet, mos me kenë kurr në vete, as edhe me punue. Asht punue një kot, rrezik ma i madh se në Hjeroshima e Nagasaku, se filloi lufta e egër e klasave, me një shpejtësi të egër e të rrufeshme, për të xanë rrugët e për të mbytë gjithçka. Fillonte nga lart për t’u unifikue gjithçka.
Kishin arrestue Dom Lazër Shantojen për arsye të vërtetë politike, ma të vërtetë fetare, e kje masakrue për së gjalli tue ia ba duert e kambët copë-copë. E ama iu lut mizorëve: “E paguej vetë plumbin për ta vra”.
E mbas, me 25 mars 1945, të Diellën e Larit, vritet Dom Ndre Zadeja. Ndërsa Monsinjor Gasper Thaçi nuk do të pritte për vizitë ditën e Pashkëve Mehmet Shehun. E priti sekretari i Monsinjorit.
Të gjithë njerëzit e pushkatuem, mendoj se do të shpallen martirë se kanë vdekë me fjalët shejte para pushkatimit: “Rrnoftë Krishti mbret, i falim anmiqtë tonë!”.
E kah fundi i dhetorit do të arrestoheshin P.Giovanni Fausti, P.Daniel Dajani, seminaristi Mark Çuni e tre civila, si: Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e Fran Mirakaj. E, në janar, arrestohet Gjon Shllaku.
E një plagë e thellë iu shkaktue klerit katolik të Shqipnisë në një mëngjes të vranët, ora 5.00 të vjetit 1946, të datës 4 mars me pushkatimin e Át Gjon Shllakut e të etenve jezuitë Giovanni Fausti, Pader Daniel Dajani, të seminaristit Mark Çuni dhe të civilave Qerim Sadikut, Gjelosh Lulashit e Fran Mirakajt.
Jemi mbledhë në këtë tubim për të kujtue posaçerisht një ndër figurat e mëdha të Kishës katolike në Shqipni e të kombit Pader Gjon shllakun.
Le në qytetin e Shkodrës në vjetin 1907, prej prindëve të mirë e të thjeshtë, që i kanë dhanë edukatën e fesë e të mirësisë. Si fëmijë, hynë në shkollën françeskane. Thirrë Zoti për rrugën shejte të meshtarisë, mbaroi studimet e liceut, shkëlqyeshëm, në Iliricum të françeskanëve, tue pasë si profesora Pader Anton Harapin, Pader Gjergj Fishtën e sa të tjerë.
Si i ri mori rrugë të mira që i dha kuvendi, për t’u gjetë për disa vjet në aulat e universiteteve të Europës, si: në Danimarkë për shkenca, në Belgjikë për filozofi e teologji e së fundi në Paris, në Surbonë, për filozofi e teologji, për të marrë shqiptari i fisit laurat, tue qenë i sprovuem thellë nga filozofi i madh i shekullit, neotomisti dhe esteti Jean Jack Maritain.
Kthimi i tij në tokën shqiptare, pa mburrjet e formalistave e të njerëzve të përciptë që nisën të mbijnë aq shumë, e solli Pader Gjonin si një dritë të fortë e kësaj toke, si një hije të mirë.
I pregatitun fort mirë, do ta fillojë punën në kishën e françeskanëve të Gjuhadolit, te lterët e Zojës, të Shën Françeskut e të Shën Ndout, në pulpido ku do të jepte predikime të shqueme herë mbas here, dhe në liceun “Iliricum”, tue u gjetë mes vëllazenve të vet, mes atyne figurave atdhetare e të afta në za, për të arrijtë ky të jetë shtylla vertebrale e liceut modern françeskan dhe një maje e lartë e qytetit dhe e kombit.
E rrethonte shumë bota intelektuale e qytetit dhe profesorat e liceut të shtetit në Shkodër e, mbi të gjithë, figura qendrore e tij advokat Paulin Pali për të cilin Pader Gjoni mendonte e dëshironte ta binte për të dhanë mësim në liceun françeskan në landët e drejtësisë e të ekonomisë politike, por tue qenë se kishin hy komunistat, nuk erdhi për të na dhanë mësim, pse së shpejti vijshin ngjarjet e mëdha të terrorit.
Kater landë të bukura dha në lice, si: religjionin, filozofinë që e jepte tue fillue me psikologjinë simbas programit francez, gjuhën frenge dhe ishte një kënaqësi të ndigjojshe mësimin e kimisë organike, me një mjeshtri dhe elegancë dijetari e shkencëtari, i gatshëm për t’u futë në çdo landë me aftësi e ndërgjegje.
Pader Gjon Shllaku me një paraqitje të hijshme mendore, i zeshkët e i thatë në fytyrë, shpesh me syza të zez, të bante për vete nga pamja përmes fjalës së tij precize e të gjatë, ishte i rrallë për kah thellësia e mendimit e i saktë përsa i përket njohjes së vlerave.
Kishte ardhë për të prue një diçka të re Shqipnisë, tue i shtue përmbajtjeve të mira ekzistuese ide të reja të një bote të qytetnueme e të hapët të kohës, për të qenë këto ide pjesë integrale e të maparshmëvet, kudo të ngjante kështu një ndërrim nëpër një evolucion të përshtatshëm e të pëlqyeshëm.
Përballë një orientalizmi të vjetër e të ri, influencë bizantine e turke mbase 500-vjeçare që vazhdonte të kishte zona zdralë e kullim qelbi, mendonte të përhapte me vëllazen e shokë mentalitet të ri e të ndershëm të padredhi, e të bante të tilla veprimtari për të mos lanë kurr që “mendimet e randa të jenë në kokat e lehta”, frazë e përmendun shpesh prej Pader Gjonit: Pader Gjoni ishte një personë që i dinte mirë kufijt e perparimit.
Meshtari françeskan i një fame të përbotshme, fort i shquem kundër jansenizmit, Lucian Jansens që jepte mësim në universitetin e Parisit në Sorbonë e ka pasë koleg të vetin e ka pohue për atë: “Ky ishte gjeni i gjallë”.
Përnjëherë ma shumë si sociolog se si shkrimtar, me një prozë parashtruese energjike, mendimtar luftar, artikujt e të cilit delshin ne revistën “Hylli i Dritës”, nisë me u drejtue prej tij në vjetët e fundit, do të ishin erë e mirë e botës së re. Artikujt në Hyllin e Dritës si: “Nuk dimë …”, edhe artikullin kundra Ivanajt.
Pader Gjoni hapte përparimin dhe ishte i thellë në mësimet jo vetëm të shkollës, por i thellë në mësimet shoqnore që i kishte marrë nga besimi katolik e nga kultura e madhe e tij. Shkodra në përgjithësi ishte e ngjitun me një lloj klase ku mbroheshin sidomos elemente të pasuna. Ai nuk i shihte problemet kështu, përmatepër, ai gjente elemente të shqueme nga populli e për këta kërkonte të flitej mirë e drejtë. Duhet të jenë të pasunit, edhe fort të pasunit, por këto të jenë të tillë që të bajnë shumë të mira: me dashuni, me pervuejtëni me shpirt vëllaznimi e tue i gjykue të vobektit, se këta janë ma nalt. Në të vërtetë, të vobektit nuk janë përfillë, nuk janë dashtë e pak janë ndihmue. Krishti ka le i vorfen, pohonte Padreja, e vorfnia e tij e bani botën ta marrin mbrapa, koncept rrajësuer ma i larti në botë.
Në vjetin 1935 u formue “Shoqnija Antoniane” që pati për drejtuer të parë Pader Lekë Lulin, të cilit i qe ba atentat prej komunistave në vjetin 1944 në rrugën e Kukësit. Ma vonë ishte drejtor Pader Agostin Ashiku ku ishin mbi 30 persona e së fundi, Pader Gjon Shllaku drejtuer, njëkohësisht me nëndrejtor Pader Mëhill Miraj, ku me këto meshtarë e drejtuesa Shoqnia u ba e madhe rreth, 700 persona, të rij e të pjekun. Në Shoqni ishte formue e drejtoheshin prej tyne: “Rrethi i ri letrar” prej 30 personash, studenta të liceut, orkestrina prej 7 vetësh e muzikantave të rij me muzikë kombëtare e moderne dhe trupi i shfaqjeve teatrale kombëtare, si: “Oso Kuka”, “Gjin Bue Shpata”, “Dy gungaçat”, “I ligu për mend”, Shën Aleksi” etj.
Pader Gjoni ka kenë figura intelektuale fort e zgjedhun në Shqipni. Kishte një hapsinë qyteti me atë, me dijen e tij, me mirësinë e tij dhe me shpirtin religjioz, katolik dhe me lutjen e tij.
Tue dashtë të ketë rrajë të thella virtyti, sinqeriteti, moskompromisi dhe kurr dredhia që len mbrapa shpirtin e korpin, Pader Gjoni ishte një personë e tillë që kishte nëvojë për hapsinë e kohë. Por kjo e dyta do t’i mungonte e do të ishte fatale për atë e për mbarë kombin, pse erdhi sundimi i xhahilave që vetëm do të shkatërrojshin.
Kur Enver Hoxha lajmoi ambasadën jugosllave për pushkatimin e Pader Anton Harapit, ambasadori i tha, se keni lanë pa pushkatue ma të randësishmin. Pader Gjon Shllaku peshon shumë.
I mbeten shumë punë pa ba, i la përgjysmë kjo kokë e zemër e mbushun me ideale të vërteta.
Një ditë para se të arrestohej, që do të ngjante në një ditë të janarit 1946 në shkollë, në orën e mësimit, në korridorin e Kuvendit françeskan të Gjuhadolit, Pader Gjoni i thotë një frati:
- ”Nesër, kam një të dhanun të sigurtë, do të më arrestojnë”.
- Pater, i thotë Frati, pa tjetër ke me kenë martir!
- Po, i përgjegjë Pader Gjoni, Për këtë, qyshë tash, falënderoj Zotin”!
Me daten 28 janar 1946, ora 9.00 hapet një gjyq i madh i 36 personave, në kinema “Rozafa”, me trup gjykues: Kryetar Mustafa Iljazi e dy anëtarë: Namik Qemali e Tonin Miloti, me prokurorin e terbuem Aranit Qela .
Me datën 22 shkurt 1946 u dha vendimi i gjykatës ushtarake në Tiranë. U dha vendimi për vdekjen e Pader Gjon Shllakut, Pader Giovanni Faustit, Pader Daniel Dajanit, seminaristit Mark Çuni dhe tre civilavet, si: Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi dhe aktet e Frano Mirakajt shqyrtohen ma vonë.
Firmosë: Ministër i Luftës e i Mbrojtjes Kombëtare Gjeneral Enver Hoxha. d.v.
Me daten 4.03.1946 ekzekutohen me pushkatim mbas vorrezave të Rëmajit, të gjashtit.
Fjalët e Pader Gjon Shllakut para pushkatimit kjenë këto: “Lamtumirë m’i thoni vëllazenve françeskanë e të gjithë të njoftunvet. Rrnoftë Krishti mbret. Rrnoftë Shqipnia!”.
Kjo ditë e katër marsit kje fort e dhimbshme. Ditë me shi, me robni të thellë. Errësohen male, fusha, krejt toka shqiptare, për të vazhdue ngjarjet e shumta në të gjitha drejtimet, për gati 50 vjet.
Njerëzit shkojshin për të pa e drejtoheshin mbas mureve të vorrezave katolike, tue fshehë fort lotët e dhimbjes. Pader Gjoni bante një dallim, se i shifej gjaku që kishte ra mbi trupin e konopin e tij.
Edhe unë shkojshe me ta. Ishe nxanës i Pader Gjonit në klasën e shtatë të liceut. Kur mbërrijta në shkollë, së cilës i kishte ra hija e zezë, shkollës dhe vendit. Orën e parë mësim kishim matematike me Pader Mëhill Miraj, bajshim trigonometri. Pader Mëhilli ishte i mbushun plot dhimbje e vaj. Na tha: “Nuk mund të baj mësim sot”. Të gjithë jetojshim çaste të vështira.
Sot lumnojmë. Kemi një kohë të re. Na pregatitemi për të dhanë 40 martirët e Kishës katolike që do të shpallën martirë. Kjo do të bajë që ta ngjallim kombin shqiptar, pse kombet që kanë martirë e shejten, ata ngjallen me të vërtetë. Këta do t’i japin atdheut tonë përparimin e qytetnimin e vërtetë e lumninë e vlerave. Pa shejten e martirë nuk ka fort përparim. Nuk na mbetet tjetër veç të presim e të lumnojmë.
*********
Sivjet shënuam 63-vjetorin e pushkatimit të Atë Gjon Shllakut dhe katër martirëve të tjerë të Kishës katolike
Është një ngjarje e madhe, që i dhuroi Kishës katolike pesë martirët për nderimet e lterit, çështja e beatifikimit të të cilëve tashmë ka filluar. Janë: Françeskani atë Gjon Shllaku, që u vra së bashku me jezuitët atë Gjon Fausti e atë Daniel Dajani si dhe me seminaristët Mark Çuni e Qerim Sadiku në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të pestëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”. Tani ja disa fragmenteve të dëshmisë së Atë Daniel Gjeçajt, i pranishëm në ngjarjet:
****
"Dikur, mbasi tragji-komedia ishte pregatitë në tana hollësitë, u hap gjyqi. ..
(Pater Gjoni)… kryesonte viktimat. Mbas tij vijshin dy meshtarët jezuitë, seminaristat e mandej civilat tjerë. Proçesioni i dekës përcillej, përposë se prej policisë së mbrojtjes, edhe prej grupeve të organizueme nga rinia komuniste, të cilët gjatë rrugës bërtshin e çirreshin si të dejun në kor: "Plumb ballit! Plumb ballit!" dhe "Vdekje klerit! Vdekje klerit!"….
Në sallën e improvizueme të gjyqit i pritëte tmera e asaj kohe, prokurori ushtarak Aranit Çela, i famshëm për mizori… Një publik i përzgjedhun, e shumta anëtarë partie, mbushte salën. Porsá të paditunt vejshin kambën në derë të salës, altoparlantat, mbrendë e jashtë, së bashku me një pjesë të publikut, intonojshin një kangë satirike, për të ngacmue hakmarrjen ndaj klerit. Niste, mandej, seanca me pyetje të vrullshme nga të tanë anëtarët e gjyqit, njeni mbas tjetrit, pa asnjë ndërpremje, për të mos i lânë rend të paditunve me u përgjegjë e as me u mbrojtë. Të pandehunit s'i mbetej tjetër, veç pohimit të fajeve të pabâme, ose heshtimit. E vërteta kishte si pasojë tortura të reja e hetime pa fund; heshtimi, njëlloj, torturat e vdekjen. Ata ishin të paradënuem.
Akuzat, të hartueme nga nalt, e paraqitshin pater Gjonin porsi ideologun, organizatorin, udhëhjekësin e të ashtuquejtunit "Bashkimi shqiptár". Mbas tij, si ndihmës, vijshin etënt jezuitë, seminaristat e besimtarët tjerë. Pater Shllaku, simbas akuzës, drejtonte "Dorën e zezë", që do të kryente atentate në të gjithë Shqipninë. Ky mbante lidhje të vazhdueshme me Vatikan me anën e pater Faustit, ndërsá në vend, lidhej me çeta antikomuniste të arratisuna. Mbante ndërlidhje anmiqësore me shtetet kapitaliste, me anglezë e amerikanë.
Ishin këto disá ndër akuza, të cilat martirët tonë i paraqitshin fajtorë, që meritojshin dënimin me dekë, jo veç porsi kundërshtár rregjimi, por edhe si kriminelë e njerëz të damshëm për popullin e për Kombin.
Kur advokati mbrojtës muer fjalën për me qitë poshtë akuzat, të cilat ai i ndiente për të parën herë në salë, publiku e trupi gjykues shpërthyen në fishkllima e brima: "Poshtë tradhtarët e bashkëpunëtorët e tyne!" …
Dënimi me dekë - si e thamë ma sipër- ishte i premë ç'me kohë. Nuk vinte as nga prokurori, as nga fishkllimat e brimat e njerëzve të indoktrinuem në sallë. Dënimi për njerëzit ma të mirë të Shkodrës vinte prej Tirane. Kështu Shkodrës i pritej kryet!
Dënohen për dekë Pater Shllaku, Pater Dajani e Pater Fausti, seminaristat Mark Çuni e Gjergj Bici, mandej civilat Qerim Sadiku e Gjon Vata e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 fruer 1946.
Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946. S'ishte e para herë që shi në orët e para të ditës, në të zbardhun të dritës, në qytetin e Shkodrës ndiheshin të shtîme pushkësh me ushtimë të xânun, si ato që bien në mish njeri. E 'i mend, komunistat e kishin doke me e zbatue dënimin me pushkatim shi atëherë, kur shumica e banorëve ishte endč në të shtrueme.
Mbas pushkatimit, zakonisht, trupënt e të dekunve, ashtu njeni mbi tjetrin, lęheshin, si të ishin thasë plehi, në dispozicion të qytetarëve për tanë ditën: pak kush vinte për me shfrye mëninë; shumica merrte mënderë e trishtim.
Në muzg të natës, mandej, ashtu grumbull si ishin, ngreheshin rrëshanë dhe hidheshin përzietas në një gropë të përbashkët. Mbuloheshin me kujdes, për mos me lânë gjurmë as shenj vorri. Këtë fat patën edhe martirët tanë.
… Udhëtimi në kamionin e dekës, prej burgut në Rrëmaj, pranë qytetit, ishte relativisht i shkurtë. Të dënuemët shkuen tue këndue psalmet e shtegtarëve të popullit të zgjedhun në drejtim të Jeruzalemit. Shtegtojshin drejt Jeruzalemit qiellor. Shkuen tue i dhânë zemër ata dom Tomë Lacës, që ishte ngarkue me i zemrue. Meshtari derdhej në lot!
Po atyne nuk u dridhej buza as s'u ligështohej zemra. Udhëtojshin për amshim, pritshin me padurim dekën, që i çonte në të ngjallun.
Të rreshtuem njëni brí tjetrit, me pater Gjonin në mes, të lidhun dorë për dorë, si të dojshin me formue një kunorë, thurë me zhguna e veladona, me rregulltarë e besimtarë, mbasi një ka një puthën Kryqin e shëlbimit, shqiptuen një zâni e një zemre fjalën e fundit të jetës e porosinë e mbrame: "Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Kisha katolike!".
Batarja e trupit ekzekutues, plumbat e plotonit me hyll të kuq, ia këputën zanin.
U rrëxuen për dhé, tue e zbutë rishtas me gjak atë tokë, që me gjak asht lagë tash sa shekuj e me gjak vijon të ushqehet edhe sot.
Gjaku i tyne shkroi edhe një rresht në analet e përgjakshme të dymijë vjetëve historie të krishtenimit në Shqipní.
Atë ditë binte shí si donte Zoti vetë. Në baltë e gjak, kush desht me pá, mujti me dallue kjartë më një grumbull të dekunsh frat e prift, jezuit e të krishtęnë: ishte Kisha martire e Shqipnísë".







All the contents on this site are copyrighted ©.