Ekskursionet në natyrën e Dolomiteve, rast për të thelluar fenë.
(22.07.2009 RV)Në çdo stinë të
vitit, por veçanërisht në periudhën verore, kur stolitë e stinës së ngrohtë e joshin
njeriun me mijëra mënyra, të lutesh do të thotë të pasurosh shpirtin tënd, fenë tënde
e, sidomos, të takohesh me Krijuesin e bukurisë, përmes soditjes të së bukurës, që
shfaqet para njeriut në forma e vende të ndryshme. Ka vende, si Bjeshkët e larta,
ndërmjet të cilave edhe Dolomitet italiane, ku kundrimi i natyrës e meditimi i vetvetishëm
që lind prej tij, të shtyjnë të reflektosh për Zotin e për njeriun. Këtë nënvizon,
në mikrofonin tonë, Atë Diego Soravia, i cili prej 20 vjetësh organizon ushtrime
shpirtërore mbi Dolomitet për turistë e besimtarë:
Përgjigje: -
Përvoja që po jetojmë është një mundësi, e cila u jepet si besimtarëve të famullisë,
ashtu edhe veronjësve. Mund të jetosh një ditë në gjirin e natyrës. Mund të bësh
shëtitje, të kalosh pranë një kapiteli, pranë një Kryqi a një ikone, duke e shoqëruar
këtë kalim herë me një fragment nga Shkrimi Shenjt, herë me një reflektim e, më shumë,
me çaste heshtjeje. Kjo përvojë bashkon në një mundësinë e lutjes e të shtegtimit
në gjirin e natyrës mahnitëse, që këtyre viseve, për fat, u është dhuruar me begati.
Pyetje:
- Një mundësi kjo, që na kujton se feja nuk shkon kurrë për pushime e se, ashtu
si i kushtojmë vëmendje përtëritjes së trupit, duhet t’i kushtojmë edhe shpirtit…
Përgjigje:
- Në të vërtetë, shumë vetë marrin pjesë me kënaqësi në këtë realitet
meditimi, reflektimi, lutjeje, mrekullimi e mahnitjeje, përballë natyrës, ku një Psalm
të prek menjëherë e deri në thellësi, duke krijuar atmosferën e fesë në shpirtin e
të gjithë shtegtarëve. Është fe, që nuk shkon të pushojë, madje pikërisht në pushime
jeton, shprehet e ndjehet më gjallërisht se kurrë, në gjirin e një bashkësie, që ecën
nëpër shtigjet e bukurisë, së krijuar nga dora e Zotit. Edhe njerëzit, që e kanë
vështirë të luten, e gjejnë më lehtë Zotin duke u ngjitur në shtigjet e malit, sesa
duke shkuar në Kishë: ndonëse qëllimi është që pikërisht duke u nisur nga ky takim
me Zotin në mal, të nesërmen të ndjejnë nevojën për ta takuar edhe në Kishë e për
ta lavdëruar para tabernakullit. Mund të themi, prandaj, se shprehja ‘feja nuk shkon
për pushime’ i përshtatet plotësisht kësaj udhe feje; e edhe dioqeza dëshiron ta vërë
në qëndër të vëmendjes në një Sinod vendas. Kështu kjo përvojë vihet në shërbim të
thellimit të fesë, me ndihmën e natyrës, por edhe të shtegtimit bashkërisht në shtigjet
e maleve, duke ndarë së bashku lodhjen, gëzimin e ngjitjes e të soditjes, e pse jo,
edhe atë që kemi në çantën e shpinës.
Pyetje: - Madhështia e malit
ndihmon edhe për të parë brenda vetes, për të hyrë në thellësitë e shpirtit tënd,
përmes heshtjes, ritmit të hapave, lodhjes e kënaqësisë së përbashkët, kur arrin në
majë… Përgjigje: - Në mal duhet të ngjitesh lart e
paradoksi qëndron në faktin se, ndërsa ngjitesh lart, zbret në thellësitë e vetvetes.
Natyra të jep mundësinë jo vetëm ta admirosh, ta soditësh, të mrekullohesh prej saj,
por edhe të pyesësh: “Kush është njeriu?”. Kur ndodhesh përballë një akullnaje, një
maje të mbuluar me dëborë, e cila s’shkrin as në mes të vapës, që djeg ultësirat,
e ndjen veten të vogël, e percepton më shumë dashurinë për Zotin krijues. Duke u ngjitur
në mal, të krijohet mundësia të freskosh jo vetëm trupin, por edhe bindjet e sjelljet,
të rikthehesh në shtëpi më i kthjellët. Pasuron vetveten, por edhe bashkësinë, pasi
ke soditur natyrën, duke medituar për Zotin, sepse natyra është dhuratë e Zotit. Gjon
Pali II e quajti natyrën “libër i hapur” . E këtë libër të hapur jemi të thirrur ta
lexojmë me thjeshtësi e me sytë e fesë.