2009-07-25 15:26:18

Editorial i atë Federiko Lombardit: Cilit njeri t’i shërbejmë?


(25.07.2009 RV)RealAudioMP3 Kësaj së diele, komenti i drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi frymëzohet nga faqet e enciklikës së fundit të Papës Benedikti XVI “Caritas in Veritate”. “Cilit njeri i duhet shërbyer?” pyet atë Lombardi, duke e kërkuar përgjigjen në fjalët e Papës. Ta dëgjojmë:
Enciklika “Caritas in Veritate” pati dhe vazhdon të ketë një jehonë të madhe në botë, me komente të shumta në gjuhë të ndryshme. Thellësia e qasjes antropologjike dhe teologjike, shumëllojshmëria dhe aktualiteti i temave të trajtuara japin në fakt rastin për t’u thelluar edhe më tej, me analiza, në përgjithësi, pozitive. Komentuesit e kuptojnë se – pavarësisht nga kriza që kalojmë – enciklika ofron një mesazh shprese: njerëzimi ka misionin dhe mjetet për ta shndërruar botën e për të bërë që të përparojnë drejtësia e dashuria në marrëdhëniet njerëzore, edhe në fushën shoqërore dhe ekonomike.
Por, nëse zhvillimi duhet të jetë në shërbim të njeriut e madje, të të gjithë njerëzve, nuk mund t’i ikim pyetjes më të thellë: kush është ky njeri, që i duhet shërbyer?
Këtu – e është një nga origjinalitetet e enciklikës – horizonti zgjerohet me tema që nuk prekeshin në enciklikat e mëparshme shoqërore: mbrojtja e jetës, pikëpamja mbi seksualitetin dhe familjen. Në këto tema, Papa, edhe një herë, shkon me guxim kundër rrymës, në krahasim me prirjet kulturore shumë të përhapura sot, e madje mbizotëruese. Por edhe këto pjesë të enciklikës janë thelbësore: duhen lexuar e marrë seriozisht si pjesë të të njëjtit diskutim. Kisha u ofron me besnikëri të gjithëve një këndvështrim mbi njeriun, pasi është e bindur se kjo është mënyra më e mirë për t’i shërbyer së mirës së njeriut.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.