2009-07-24 17:44:33

Rektori i Universitetit papnor lateranens dhe ministri italian i ekonomisë mbi enciklikën “Caritas in Veritate”


(24.07.2009 RV)RealAudioMP3 Të ndërthuren si duhet teknologjia e globalizimi, të rimendohet zhvillimi duke vënë në qendër personin, të pajtohen konkretisht në jetë llogjika e fitimit dhe ajo e dhuratës. Këto janë disa nga sfidat, që Enciklika e Benediktit XVI “Caritas in veritate” shtron përpara kulturës bashkëkohore, për të përballuar krizën aktuale e për të hedhur bazat e së ardhmes. Mbi këto tema, u fol në Romë, në Auditoriumin Shën Piu X, ku u konfrontuan Rektori i Universitetit Papnor lateranens, imzot Rino Fizikela, njëkohësisht president i Akademisë papnore për jetën dhe ministri italian i ekonomisë e i financave, Xhulio Tremonti.
Një dokument i guximshëm, i kujdesshëm dhe i plotë, ku bëhen plane e propozime. Kështu i komentoi imzot Fizikela fjalët e Papës në enciklikë:
“Mendoj se enciklika thotë shumë herë “po”: i thotë “po” një tregu që ka rregulla, një biznesi të aftë për të bërë plane të frytshme edhe për shoqërinë, atyre investimeve ndërkombëtare, që nuk janë thjesht një akt formal, por në gjendje të rishikojnë edhe një herë jo vetëm përmasën ekonomike, por edhe atë njerëzore, baza e gjithçkaje. Pra, është një enciklikë, që na fton të shohim përpara e të mos ndalemi para pengesave”.
Në dritën e krizës aktuale financiare, por edhe antropologjike, shpjegoi imzot Fizikela, bëhet gjithnjë e më urgjente të rishikohen rregullat, duke vënë në qendër njeriun dhe dinjitetin e tij të patjetërsueshëm, por edhe duke nxitur bashkëpunimin e plotë të familjes njerëzore, e cila duhet të kontribuojë në zhvillimin e përbashkët. Prandaj, secili duhet të marrë përsipër përgjegjësinë që i takon, theksoi imzot Rino Fizikela:
“Ekonomia nuk është vetëm një akt teknik, ajo ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e çdo personi dhe me atë të shoqërisë. Secili prej nesh është pa dyshim protagonist, problemi është nëse jemi të aftë, si protagonistë, të punojmë sëbashku e për pasojë të këndojmë një këngë polifonike e jo si solistë”.
Enciklika, pohoi nga ana e tij ministri italian i ekonomisë dhe i financave, Xhulio Tremonti, është dokumenti i parë i madh ku analizohet dhe reflektohet mbi botën e re. Një udhërrëfyes për politikën, i cili na mëson se interesi nuk është vetëm ai i skontos, po në përgjithësi përfshin krejt bashkësinë, se nuk mjafton iluzioni i “arritjeve me forcat tona”, por është i nevojshëm impenjimi i ndërgjegjes për të mirën e përbashkët të shoqërisë njerëzore. Ta dëgjojmë vetë ministrin:
“Në një botë që përvijohet si një “tabula mundi” për t’u shkruar, besoj se enciklika është kriter dhe udhërrëfyese themelore. Është dokumenti më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm, që qëndron mbi tryezën e politikës e kjo është një fazë, në të cilën politika po eksperimenton. Pikërisht në këtë eksperimentim, në këtë kërkim të sistemit të qeverisjes së botës, një dokument i këtij lloji është themelor”.
Për të menduar një lloj të ri zhvillimi, një ekonomi të re, e vërteta e thënë me dashuri është themelore – pohoi imzot Fizikela. Po ashtu edhe etika, që veprimtaria shoqërore të mos bëhet pre e interesave private dhe e llogjikës së pushtetit, me efekte shpërbërëse mbi shoqërinë. Etika e jetës sëbashku me etikën shoqërore, nëse zbatohen, shmangin sundimin e më të fortit mbi më të dobtin, dhe janë në gjendje t’u japin përgjigje problemeve si emigracioni, papunësia, investimet ndërkombëtare etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.