Përkujtojmë 361 vjetorin e lindjes së papës me origjinë shqiptare, Klementit XI.
(23.08.2009 RV)Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik
1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij,
ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve
(1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit
(23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës
e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit.
Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krjiuan pas Traktateve të Utrehtit,
të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më
pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Dha një kontribut
të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike
e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve;
në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Përendimor,
Persi, Indi e Kinë.Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për
fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si
për organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip
e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe
për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. I
dha kështu Dheut të të Parëve ndihmesën e tij të çmuar për të hedhur hapin e parë
drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit, që rënkonte në errësirën e thellë
të pushtimit, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë. Kjo rreze,
si shumë të tjera më pas, nisej nga Froni i Shën Pjetrit, ku në atë kohë qe ulur Gjon
Françesk Albani.