2009-07-24 19:54:45

Papa Benedikti XVI kryesoi Lutjen Mbrëmësore në katedralen e Aostës. Në qendër të homelisë, Hyji i Gjithpushtetshëm e i mëshirshëm.


(24.07.2009 RV) RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI kremtoi sot pasdite Lutjen Mbrëmësore në katedralen e Aostës. Qenë të pranishëm rreth 400 vetë, meshtarë, regulltarë e laikë të dioqezës. Është për t’u theksuar se këtë vit, dioqeza e Aostës përkujton 900-vjetorin e Shën Anselmit, me një sërë aktivitetesh kushtuar atij, që nga fillimi i 2009-ës. Për këtë rast, Papa ka shkruar dy letra, njërën për abatin primat të Benedektinëve të Bashkuar, dom Nokter Volf dhe tjetrën për kardinalin Xhakomo Bifi, të dërguarin e vet të veçantë për kremtimet anselmiane.
Ati i Shenjtë u përshëndet nga ipeshkvi i Aostës, imzot Xhuzepe Anfosi, i cili përshkroi historinë e katedrales dhe vuri në pah problemet e bashkësisë së vendit, me shpresën që vizita e Benediktit XVI t’i japë një shtysë të re jetës e të ndihmojë familjet të rigjejnë vetveten.
Homelia e Papës u përqëndrua krejtësisht në figurën e Zotit, i cili nga i largët që duket, bëhet i afërt për të gjithë, përmes ungjillëzimit. “Hape dorën tënde e shuaje urinë e çdo të gjalli” citoi Ati i Shenjtë pslamin, ndërsa shpjegonte se Zoti është vërtet çështje personale si për njeriun, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi, por:
“Nëse Zoti mungon, nëse jetojmë sikur Zoti të mos ekzistonte, nëse Zoti nuk është i pranishëm, mungon busulla që na tregon të gjithë bashkësinë e lidhjeve për të gjetur rrugën ku të shkojmë”.
Papa u ndal më pas në dy aspekte të Hyjit. Në cilësimin e tij si të gjithpushtetshëm e si të mëshirshëm. Fjala “i gjithpushtetshëm”, theksoi Ati i Shenjtë, na tremb nganjëherë, por në momentin që Zoti bëhet i afërt nuk është më kështu:
“Fakti që Zoti është i gjithpushtetshëm, nuk do të thotë se ai ka pushtet arbitrar, pasi Zoti është e mira, është e vërteta, prandaj Hyji mund të bëjë gjithçka, por jo të veprojë kundër së mirës, kundër së vërtetës, kundër dashurisë e lirisë”.
Është Zoti që na jep sigurinë se është mirë të jetosh, është mirë të qëndrosh në këtë botë. Mëshira është maja e pushtetit të Zotit. Papa krahasoi pushtetin e Hyjit me pushtetin aq të ndryshëm të botës, dhe theksoi:
“Pushteti i vërtetë është pushteti i hirit dhe i mëshirës hyjnore”.
Pa e përmendur në veçanti Vitin Meshtarak, Papa nuk harroi t’u drejtonte një fjalë edhe meshtarëve. Ai shpjegoi se me vuajtjen e Krishtit në kryq, Zoti ka treguar se është i aftë të vuajë sëbashku me ne e si ne. Por, nga ana tjetër, na kërkon edhe bashkëpunimin tonë për t’ia kthyer botën Zotit e pikërisht në këtë shndërrim, detyra e meshtarëve është themelore:
“Funksioni i meshtarisë është shugurimi i botës, që ajo të bëhet hoste e gjallë, që bota të bëhet liturgji. T’i lutemi Hyjit që të na ndihmojë të jemi meshtarë në këtë kuptim, të ndihmojmë në shndërrimin e botës, duke filluar nga vetvetja, që jeta jonë të flasë për Zotin, të jetë vërtet liturgji, të shpallë Hyjin, ta bëjë atë të afërt, që jeta jonë të jetë dhuratë e vërtetë për Zotin”.
Në përfundim të liturgjisë, Papa përshëndeti nga tremja e katedrales, besimtarët që ndoqën Lutjen nga jashtë. Para se të kthehej në Lë Kombë, Ati i Shenjtë u ndal në Introd për një takim të shkurtër me të moshuarit e Shtëpisë lokale për ta.







All the contents on this site are copyrighted ©.