2009-07-24 19:56:09

Më 25 korrik, 41-vjetori i enciklikës së Palit VI ‘Humanae Vitae’.


(24.08.2009 RV)“Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”.
Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanae Vitae, së cilës Benedikti XVI i kushtoi një reflektim të thellë. E quajti fryt i një “vendimi të thelluar”, “gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës”. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi “një të vërtetë të pandryshueshme”, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah “largpamësinë me të cilën përballohet problemi”.
Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Është një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë”, që sot çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV -ve e i kompjuterëve tanë.
Por pikërisht për këtë enciklika Humanae Vitae është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, qortuese, udhëzuese, të qarta, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë.E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, “mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që – siç thotë Papa – rri gjithnjë në pritë”. Ndërsa “dashuria dhe arsyeja së bashku – pohonBenedikti XVI – mund të bëjnë diçka shumë të madhe”: Po: duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.