E Lumja Nene Tereze:"Me gjak jam shqiptare..zemra ime i përket plotësisht Zemrës së
Krishtit"
(24.7.2009 RV)Përfundimisht merr fund debati mbi përkatësinë kombëtare të së
Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut. Siç dihet, prej vitesh në nivelin ndërkombëtar
e atë shqiptar është diskutuar, madje edhe ashpër, me vend e pa vend, rreth identitetin
etnik e përkatësisë kombëtare të së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut. Ndoshta,
diskutimi më i gjallë qe ai që bë ndërmjet botës shqiptare e botës maqedonase, e jo
vetëm. Pa u ndal në hollësira e pa u thelluar në historinë dhe biografinë
e të Lumes Nënë Terezë Bojaxhiu, po kthehemi pohimit të parë: përfundimit të debatit
mbi kombësinë e kësaj figure madhore. Duket shtuar se pas përurimit të “Shtëpisë së
Nënë Terezës” në Shkup, ndërtuar me vullnetin e shtetit të Maqedonisë, që ngjalli
edhe reagime e mospajtime, kohëve të fundit, në këtë shtëpi-muze kushtuar Nënë Terezës,
qeveria e Shkupit ka vendosur edhe njërin ndër pohimet e pakta që personalisht Gonxhe
Bojaxhiu pati deklaruar me shkrim mbi çështjen e përkatësisë së saj kombëtare.
Është fjala për pohimin e së Lumes Nënë Terezë, bërë me rastin e marrjes së Çmimit
Nobel për Paqe në vitin 1979, në Osllo. Me atë rast Nënë Tereza pati thënë:
"By blood, I am Albanian. By citizenship, as Indian. By faith, I am a catholic
nun. As to my calling, I belong to the world. As to my heart, I belong entirely to
the Heart of Jesus." "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane.
Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por
zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Po ky pohim i Nënë
Terezës është botuar edhe në faqen e parë të librit të vogël të kremtimit liturgjik
të ceremonisë së Lumnimit të saj që u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan nga
Papa Gjon Pali II më 19 tetor të vitit 2003. E mendojmë se me këtë botim sanksionohej
de facto e de jure përfundimisht debati në fjalë. Kështu edhe Maqedonia i ka dhënë
fund kësaj çështje sikur na njofton nga Prishtina Rabie Ibraj, ta dëgjojmë....