2009-07-23 17:40:57

Vazhdojnë pushimet e Benediktit XVI. Papa takon fëmijët.


(23.07.2009 RV)RealAudioMP3 Papa vijon pushimet me reflektime e takime. Nesër Lutjet mbrëmësore; të shtunën, kontrolli radiologjik i kyçit të dorës.Në Aosta ndjehet gjithnjë më shumë atmosfera e pritjes, për vizitën që do të bëjë nesër pasdite Papa në këtë qytet, ku do të kryesojë Lutjet mbrëmësore në katedrale. Ndërkaq në tëbanën e Lë Kombë e në rrethinat e saj, Ati i Shenjtë po kalon orë prehjeje, duke u takuar nganjëherë - siç ndodhi dje - edhe me banorët e fraksionit të vogël të Introdit. E do t’i bëhet edhe një kontroll i ri i kyçit të dorës nga punonjësit e shëndetësisë të Spitalit Parini dhe stafi mjekësor i Vatikanit. Folëm, për vijimin e pushimeve të Papës, me drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardin, me telefon, nga Lë Kombë:

“Mbrëmë, gjatë shëtitjes së zakonshme pranë fshatit Lë Kombë, Papa u takua me një grup prej pesë fëmijësh, të shoqëruar nga tri zonja. U ndalua e bisedoi disa çaste me ta. Pamjet e këtij takimi prekës u transmetuan nga Qendra Televizive e Vatikanit. Njëri nga fëmijët i tregoi se në Val di Remes, ku jeton, në dimër dëbora arrin deri në katër metra trashësi, tregim që Papa e ndoqi me habi e kureshtje.
Sot, ndërmjet punëve të tjera, Papa po studion dokumentet lidhur me disa çështje të ndryshme, të cilat ia solli dje kardinali Bertone. Kardinali i solli edhe mesazhe të shumta urimesh, që u shtohen atyre të ditëve të kaluara. Kujtoj, sidomos, urimet që i erdhën nga familja mbretërore e Spanjës, nga kancelaria gjermane Angela Merkel, e sot, nga senatori Karlo Axelio Çiampi, ish-president i Republikës italiane.
Sot do të sjellin nga spitali i Vale D’Aostës në selinë e Papës një aparat radiologjik dore, që do krijojë mundësitë për t’i bërë, të shtunën paradite, një kontroll radiologjik. Përveç mjekëve të Vatikanit – doktor Poliskës dhe doktor Bertit – do të jetë, natyrisht, i pranishëm edhe doktor Manuel Mançini, që e operoi Atin e Shenjtë, si dhe profesor Vinçenco Sesa, kryemjek ortopedik në Spitalin Fatebenefrateli të Romës, specialist bashkëpunëtor i Shërbimeve Shëndetësore të Vatikanit, që do ta ndjekë në këndvështrim ortopedik Atin e Shenjtë, pasi të kthehet në Kastel Gandolfo; në këtë mënyrë sigurohet vazhdimësia e ndihmës mjekësore".







All the contents on this site are copyrighted ©.