2009-07-23 19:15:04

Sali Berisha: kandidimi i Shqipërisë për në BE, është i sigurt por pa afat të caktuar.


(23.7.2009 RV)Kryeministri Sali Berisha tha mesditën e së enjtes, gjatë një konference për shtyp, se procesi i kandidimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian është një proces i garantuar për të cilin nuk mund të caktohen afate.
Kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjes së gazetarëve për deklaratën e një dite më parë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, i cili është shprehur se BE duhet të miratojë brenda kësaj vere kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në këtë organizatë.
"Ne e kemi paraqitur kërkesën dhe ndërkohë kemi pasur një proces shumë të rëndësishëm, siç ishin zgjedhjet. Unë kam shumë besim se procesi i kandidimit dhe integrimit të Shqipërisë është një proces i garantuar, por nuk mund të flas për kohën, pasi Brukseli është një portë me 27 çelësa. Por parimi është se ato do të hapen", theksoi Kryeministri Berisha në përgjigje të interesimit të gazetarëve për këtë çështje.







All the contents on this site are copyrighted ©.