2009-07-23 17:43:11

Ipeshkvijtë e SHBA: mirë reforma shëndetësore, por jo fondet federale për abortin.


(23.07.2009 RV)Kisha në SHBA ndërhyn në diskutimin e ndezur lidhur me reformën shëndetësore, përmes një Letre të ipeshkvijve, drejtuar të gjithë anëtarëve të Kongresit e, për njohuri, Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shëndetësisë e të Shërbimeve shoqërore.
“Një reformë shëndetësore e vërtetë, që mbron jetën dhe dinjitetin e të gjithëve, është imperativ moral e detyrim jetik kombëtar”: kështu shkruan imzot Uiljam Mëfi në emër të Konferencës ipeshkvnore katolike (Usccb), në një letër, ku thekson rëndësinë e dorës së parë që ka reforma. Kisha e mbështet, kur vihet në mbrojtje të më të ligështëve, por nuk harron të tërheqë edhe vëmendjen për mundësinë e financimeve federale të enteve publike e të sigurimit shëndetësor privat, në mbrojtje të abortit.
Prelatët përcaktojnë katër kritere, për një reformë të ndershme e të drejtë: “Respektin për jetën njerëzore, mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, sigurimin e kujdesit mjekësor për të gjithë, pluralizmin dhe çmimet e arsyeshme”.
Ipeshkvijtë i kërkojnë Kongresit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sidomos dy prej këtyre kritereve: së pari, asnjë plan reforme shëndetësore – shkruajnë - nuk mund të na detyrojë ne, ose të tjerët, të paguajmë për shkatërrimin e jetëve njerëzore, përmes fondeve qeveritare, që lehtësojnë praktikimin e abortit. Reforma duhet të ketë mirë parasysh lirinë e ndërgjegjes dhe respektimin e traditave më të mira amerikane.
Së dyti, të gjithë njerëzit kanë të drejtë për shërbim shëndetësor të plotë e cilësor.
Është për t’u kujtuar se reforma, që dëshiron të vërë në jetë presidenti amerikan Barak Obama, do t’u sigurojë shërbimet shëndetësore 46 milionë qyetetarëve, të cilëve sot këto shërbime u mungojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.