(23.7.2009 RV)Vetëm tre javë nga tërheqja e trupave amerikane nga qytetet irakiane
- siç është vendosur në marrëveshjen mbi sigurinë të nënshkruar nga Uashingtoni e
Bagdadi, që parashikon tërheqjen e plotë të ushtrisë amerikane brenda vitit 2011 -
marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së e Irakut hyjnë në një fazë të re. Dje, gjatë bashkëbisedimeve
në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Obama e kryeministri irakian Al Maliki,
pohuan se tashmë kanë hyrë në një epokë të “strategjisë së bashkëpunimit”. Në
fushën ushtarake, Presidenti amerikan Obama ka pohuar se trupat ushtarake amerikan
do të tërhiqen nga Iraku deri në fund të vitit 2011. Këtë deklaroi Presidenti Obama
pikërisht pas takimit në Uashington me kryeministrin e Irakut, Nuri Al Maliki. Obama
tha se tërheqja e ushtarëve amerikanë “do të jetë porosi e qartë se Shtetet e Bashkuara
të Amerikës do të përmbushin obligimet ndaj popullit të Irakut”. Ndërsa duke
folur për realitetin në Irak, Presidenti Barak Obama, kërkoi përpjekje më të mëdha
për pajtimin mes grupeve të ndryshme etnike dhe fetare në Irak. Iraku do të jetë më
i sigurt nëse bashkëjetesa mes kurdëve, sunitëve dhe shiitëve do të përmirësohej,
theksoi Obama gjatë takimit me kryeministrin irakian Nuri al Maliki në Uashington.
Përparimet janë bërë të mundura nga këmbëngulja e popullit irakian, ndihmës së forcave
të sigurisë në vend si dhe shërbimit të jashtëzakonshëm të trupave amerikane e ndërkombëtare
në Irak. Tani jemi në mes të kalimit të plotë të kompetencave në duart e irakianëve
e në krijimin e një partneriteti të gjerë mes SHBA së dhe Irakut, bazuar në interesa
dhe respekt reciprok, tha Obama.