Të shumtë besimtarët anglikanë, që studiojnë fenë katolike
(22.07.2009 RV)“Katolik e evangjelik – dy faqe të së njëjtës medalje”. Ky është
titulli i fjalimit, që mbajti kryeipeshkvi i Kantërburit, Rouan Uiljams, gjatë takimit,
mbajtur në katedralen e Bristolit nga “Affirming Catholicism”, lëvizje e cila, nën
drejtimin e kryetarit, Xhonatan Klerk dhe të pastores Anxhela Tilbi, po organizon
një sërë takimesh, për të sensibilizuar besimtarët anglikanë për vlerat që ka tradita
katolike në fushën e fesë e të mësimit doktrinor të Kishës. Është në rritje të
vazhdueshme – lexojmë në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ - numri i besimtarëve
anglikanë anglezë e irlandezë, që dëshirojnë të thellohen në studimin e rrënjëve të
tyre në fenë e krishterë, parë në dritën e mësimeve të katolicizmit. E kjo, sepse
– siç shprehen anëtarët e Lëvizjes - Kisha anglikane ka ç’të mësojë nga traditat e
ndryshme kishtare. Kujtojmë se lëvizja “Affirming Catholicism", organizuar nga
një grup laikësh e rregulltarësh të bashkimit anglikan, shumë të interesuar për të
rizbuluar vlerat e traditës katolike, nisi veprimtarinë në vitin 1990. Që asokohe
kjo lëvizje boton e shpërndan falas broshura informative për besimtarët. Shumica
e anëtarëve të Lëvizjes, gjithnjë në rritje, vepron në famullitë e dioqezave anglikane
të Anglisë, Skocisë, Uellsit, Irlandës, por po përhapet edhe në vende të tjera, ku
ndjehet fort prania anglikane.