2009-07-22 19:30:47

Papa: Shën Maria Magdalenë na mëson t’i kërkuar ndihmë Jezusit në çastet e ligështisë njerëzore.


(22..07.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha kremtoi sot kujtimin liturgjik të Shën Marisë Magdalenë, dishepulle e Zotit, e para dëshmitare e të Ngjallurit: grua – kujton Papa me fjalët e Shën Tomës së Akuinit – që mund të quhet ‘apostulle e apostujve’. Ashtu si qe një grua, që i kumtoi burrit të parë fjalët e vdekjes – shkruan Akuinasi – kështu qe një grua, që u kumtoi e para apostujve fjalët e jetës.
Maria ishte nga Magdala, qytezë e Galilesë në brigjet e liqenit të Tiberiades. Ungjijtë e kujtojnë ndërmjet grave, që e ndiqnin Jezusin, “pasi ai i pati shëruar nga shpirtërat e këqinj e nga sëmundjet”, duke saktësuar se nga ajo kishin dalë ‘shtatë djaj”.
“Historia e Marisë nga Magdala na kujton të gjithëve një të vërtetë themelore: dishepull i Krishtit është ai që, pasi provon ligështinë njerëzore e ka përvujtërinë t’i lypë ndihmë, shërohet prej Tij dhe e ndjek nga afër, duke u bërë dëshmitar i fuqisë së dashurisë së tij përdëllyese, e cila është më e fortë se mëkati e se vdekja”(Engjëlli i Tënzot i 23 korrikut 2006).
Kur Krishtin e mbërthejnë në kryq, ndërsa apostujt, përveç Gjonit, ua mbathin këmbëve nga frika, Maria Magdalenë mbetet aty, në Golgotë, pranë Zotit të saj të rrahur, të pështyrë, të përgjakur, të kryqëzuar. Është aty, përkrah Zojës së Dhimbshme e grave të tjera. E shikon Mësuesin duke dhënë shpirt. Pastaj, në mëngjesin e ditës së parë pas së shtunës, e gjejmë, të mbytur në lot, pranë varrit të zbrazët, me një dëshirë të vetme: të dijë ku e kanë çuar Jezusin. Zemra e saj e plagosur digjet nga kjo dëshirë: ta gjejë, me çdo kusht, të varrosur në një varr të ri! Por e gjen të gjallë!
“E gjen dhe e njeh kur Ai e thërret me emër. Edhe ne, në se e kërkojmë Zotin me shpirt të thjeshtë e të çiltër (sinqertë), do ta takojmë pa tjetër. Madje do të jetë ai vetë që do të na thërrasë me emër e do të na bëjë të hyjmë në thellësitë e dashurisë së tij” (Audienca e përgjithshme e 11 prillit 2007).
Shqetësimi e çorientimi i Magdalenës kthehen në gëzim e entuziazëm. Por Jezusi i thotë edhe: “Mos më mbaj, sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati”:
“Maria Magdalenë dëshiron ta ketë Mësuesin e vet pranë si më parë, duke menduar për Kryqin si për një kujtim dramatik, që duhet harruar. Tashmë për ta takuar, nuk duhet të kthehesh pas, por të krijosh një lidhje të re me të. Duhet shkuar përpara. E kjo ngjet me Tomën: Jezusi ia tregon plagët e veta jo për ta harruar kryqin, por për ta bërë të paharrueshëm edhe për të ardhmen”(Audienca e përgjithshme e 11 prillit 2007).
Takimi me Krishtin e ngjallur e ndryshon thellësisht Marinë Magdalenë, e cila ngarend menjëherë tek Apostujt për t’u kumtuar ngjarjen më të madhe të njerëzimit, atë që ia ndryshoi rrjedhën gjithë historisë: “Kam parë Zotin!”:
“Ja, kush takon Jezusin e ngjallur shndërrohet shpirtërisht; por, nuk mund ta shikosh të Ngjallurin, në se nuk beson në Të. Të lutemi që të na thërrasë të gjithëve me emër, e kështu të bëjmë kthesë, duke i hapur mirë sytë, për të parë vegimin e fesë. Feja lind nga takimi personal me Krishtin e ngjallur; bëhet burim guximi e lirie, që të nxit t’i kumtosh me sa zë që ke botës: “Jezusi u ngjall e jeton përgjithmonë e jetës!”. E ky është misioni i dishepujve të Zotit në çdo epokë, edhe në kohët tona”(Audienca e përgjithshme e 19 prillit 2006).
Edhe ne, si Maria Magdalenë, si Shën Toma e Apostujt e tjerë, duhet të jemi dëshmitarë të vdekjes e të Ngjalljes së Krishtit. Nuk mund ta mbajmë vetëm për vete lajmin e madh. Duhet ta marrë vesh gjithë bota se “Kemi parë Zotin”. Virgjëra Mari na ndihmoftë që, me hirin e Shpirtit Shenjt, të bëhemi të aftë për ta çuar këtë mesazh kudo që jetojmë e punojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.