2009-07-21 15:27:27

Përshëndetje e Papës për sportistët e Tour de France, që kaluan pranë Lë Kombë.


(21.07.2009 RV)RealAudioMP3 Vazhdojnë pushimet e Papës Benedikti XVI në Lë Kombë të Vale d’Aostës, ku pavarësisht nga operacioni për thyerjen e kyçit të dorës së djathtë, Ati i Shenjtë është mirë dhe vazhdon programin e parashikuar. Mbrëmë, mjekët e spitalit të Aostës që operuan Papën ishin për darkë, të ftuar nga mjeku personal i tij, Patricio Poliska, por Ati i Shenjtë nuk mori pjesë.
Sot, Benedikti XVI përshëndeti sportistët e garës së çiklizmit Tour de France, rruga e së cilës kaloi pikërisht afër vendit të pushimit të Atit të Shenjtë. Ja teksti i përshëndetjes:
“Me rastin e kalimit të Tour de France në Vale d’Aosta, Ati i Shenjtë – që ndodhet këto ditë në Lë Kombë të Introdit – u drejton një përshëndetje të përzemërt të gjithë atletëve dhe organizatorëve të garës dhe e shtrin njëkohësisht mendimin drejt të gjithë sportistëve të impenjuar në këtë periudhë në veprimtari e gara të ndryshme, duke uruar që impenjimi në sport të kontribuojë në zhvillimin e plotë të personit, të mos ndahet kurrë nga respektimi i vlerave morale dhe të tregojë kujdes për vlerat edukative”.
Flet në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, me telefon nga Lë Kombë:
Pashë se këtu, kjo ngjarje konsiderohet shumë e rëndësishme, edhe për disa rrethana: janë tashmë rreth 60 vjet që gara e çiklizmit nuk kalon në Vale d’Aosta e prandaj ngjarja është e jashtëzakonshme. Gjithashtu, më treguan se fituesi i parë i garës ka qenë valdostan, prandaj qytetarët e shohin atë si diçka shumë të veçantë. Natyrisht, është edhe një moment turistik, që autoritetet përpiqen ta shfrytëzojnë në maksimum. Por, në të vërtetë, fakti që rruga kalon shumë afër Introdit, pra edhe pranë rezidencës së Papës, është një rrethanë simpatike. Për këtë arësye, Papës iu sugjerua ky mesazh e ai me dëshirë, bëri një përshëndetje të thjeshtë, por domethënëse. Nga ana tjetër, ky është sezon manifestimesh sportive – të mendojmë për shembull për Kampionatin Botëror të Notit, që po zhvillohet në Romë – prandaj përshëndetja për një manifestim sportiv, inkurajimi i vlerave pozitive të sportit është diçka që bën pjesë në frymën e miqësisë e të inkurajimit të çdo gjëje të mirë që ka në veprimtarinë njerëzore.
Si shkon ndërkaq kyçi i dorës së djathtë, të cilin Papa e ka akoma në allçi, pas operacionit?
Më duket se gjendja u përmirësua në kohë të shkurtër e nuk ndikoi në program, pasi takimi i rëndësishëm në Romano Kanaveze u respektua plotësisht, takimi tjetër me klerin e Aostës të premten mbrëma do të bëhet e po ashtu, edhe Lutja e Engjëllit të Tënzot të së dielës së ardhshme. Natyrisht, kushtëzimi më i madh është ai në përdorimin e dorës, që ndryshon llojin e aktivitetit personal të Atit të Shenjtë, pasi nuk mund të shkruajë. Kjo do të ketë pasoja në punën personale të Papës, por më duket se gjithçka po kalon me qetësi e durim.







All the contents on this site are copyrighted ©.