2009-07-21 15:28:48

Në Kejptaun flitet për Sidën


(21.07.2009 RV)Pas gati dhjetë vjetësh nga takimi i Durbanit, i cili pati nxjerrë në dritë për herë të parë, ndikimin e tmerrshëm të virusit të Sidës në vendet në zhvillim, pikërisht në Afrikë, ekspertët janë mbledhur që dje në Kejptaun për të folur sërish për Sidën. Konferenca botërore e Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës ka qëllim të bëjë bilancin e këtyre viteve dhe të parashikojë arritjen e objektivave ambicioze si: eliminimi i transmetimit të virusit nga nëna te fëmija në bark, kurimi i të sëmurëve në të gjithë botën brenda vitit 2010, përgjysmimi i numrit të infektimeve brenda vitit 2011, garantimi i asistencës shëndetësore dhe i terapive për 80% të të sëmurëve. Ndërkaq, po provohen dy vaksina në bashkëpunim me SHBA-të. Në takim marrin pjesë eksponentë botërorë si çmimi Nobel për mjekësinë 2008, Fransuazë Barrë-Sinusì dhe presidenti afrikanojugor, Kgalema Motlanthe. Organizata “Mjekët pa kufij” ka denoncuar se ilaçet kushtojnë tepër, gjë që rrezikon jetën e mijëra pacientëve. Sot në botë regjistrohen 33 milion të sëmurë, 22 prej të cilëve në Afrikën subsahariane. Çdo vit infektohen 2,7 milion njerëz dhe vetëm në vitin 2007, Sida ka shkaktuar vdekjen e 2 milion personave.







All the contents on this site are copyrighted ©.