Me 21 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Lorencin nga Brindisi, meshtar e doktor
i Kishës
(21.7.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin,
Kisha katolike përkujtoi Shën Lorencin nga Brindisi.Në pagëzim u quajt Jul Qesari.
Lindi në Brindisi, në familjen fisnike, por tashmë të varfëruar, të Gulielm Russoit
e Elizabeta Mazelës. Më 1559 i vdiq i jati, ndërsa e ëma e la vetëm 14 vjeç. Humbja
e s’ ëmës i shkaktoi një dhimbje të thellë, të pangushëllueshme. Duke qenë
tepër i vogël për jetë të pavarur, për të u kujdes një nga xhaxhallarët, i cili edhe
e bëri bir në shpirt. Shkoi, kështu, të banonte në Venedik, ku u njoh me kapuçinët.
Studioi në Veronë e në Padovë, më pas në Venedik. Në vitin 1582 Juli u bë fra Lorenci
nga Brindisi. Ishte njeri i librave, njohës i thellë i Biblës, të cilën e dinte përmendësh
në gjuhën hebraike. Shumë shpejt u bë i njohur edhe si predikatar. E kjo sepse, përveç
kulturës së jashtëzakonshme, kishte edhe zë të bukur e pamje madhështore. Urdhëri
e dërgoi në vendet më të vështira, në Bohemi, për shembull, ku popullata ishte shkëputur
nga Kisha. U prit me armiqësi, por nuk hoqi dorë nga misioni i tij pajtues: nisi të
predikonte me zjarr, të pajtonte armiqësitë, të udhëhiqte veprën e kapuçinëve. Me
që fjala e tij përkonte plotësisht me mënyrën si jetonte, nisën ta respektonin edhe
kundërshtarët më autoritarë të cilët, duke e ndjekur kur kremtonte Meshën, panë me
sytë e tyre se ai e rijetonte flijimin e Krishtit në Kryq, që përsëritej në elter.
Shumë shpejt u vlerësua nga sivëllezërit aq, sa të zgjidhej në krye të Urdhërit,
si gjeneral i të gjithë fretërve, të cilët e mbiquajtën “ngushëllimi i vëllezërve”.
Papët e princat evropianë i besuan misione të vështira diplomatike. Për tri vjet Fra
Lorenci përfaqësoi Kishën në Bavari. E napolitanët, që nuk mund ta duronin më dukën
Osuna, e kërkuan atë si ambasador pranë Filipit të Spanjës. Më 1619, pikërisht
në sa drejtonte bisedimet e suksesshme me Filipin III në dobi të napolitanëve, u takua,
papritmas, me “motrën vdekje” e cila e mori me vete në sa mbushte 60 vjeç. U shpall
shenjt nën papninë e Leonit XIII në vitin 1881. Shkrimet e tij mbetën të panjohura
deri në botimin e plotë në vitet 1925-1956. E pas këtij botimi, Papa Gjoni XXIII do
ta shpallte Shën Lorencin doktor i Kishës, me cilësimin Doktor apostolik.