2009-07-21 15:28:37

Bashkëpunimi ndërmjet BE dhe Comece në fushën e emigracionit. Intervistë me Alesandro Kalkanjo.


(21.07.2009 RV)Bashkëpunimi ndërmjet Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) dhe Bashkimit Evropian mbi temën e emigracionit vazhdon të ecë përpara. Alesandro Kalkanjo, ekspert i emigracionit dhe i azilit flet mbi temat kryesore që janë në qendër të këtij bashkëpunimi. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Veprimtaria e Konferencave Ipeshkvnore të BE për emigracionin dhe azilin bën pjesë në kuadrin e një bashkëpunimi ekumenik dhe tepër frytdhënës me organizmat e tjera të Brukselit. Mund të tregoj këtu disa nga pikat që Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të BE i quan më të rëndësishme në fushën e politikave të dhënies së azilit: të gjitha politikat duhet të njohin dinjitetin e pamohueshëm të njeriut dhe ky duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo lloj politike në këtë fushë. Duke kaluar pastaj në disa pika, disi më specifike, mund të përmend për shembull kërkesën për formimin e rojeve kufitare. Temat e tjera kanë të bëjnë me të drejtën e asistencës fetare, në veçanti për ata që mbahen në burg e që kanë bërë kërkesë për azil. Kërkohet që burgu të jetë vetëm masë ekstreme dhe mbi të gjitha kërkohet që të gjenden alternativa për këtë gjë. Përsa i përket kushteve të mikpritjes të azilkërkuesve, është bërë një kërkesë për identifikimin e personave që cënohen në çastin kur paraqitet kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare. Duhet vlerësuar edhe mundësia e përfshirjes në botën e punës, që përbën një pikë veçanërisht të rëndësishme për të lejuar integrimin e këtyre personave.

Pyetje: A ka bashkëpunim, a ka vullnet nga ana e politikave evropiane për të reflektuar mbi pikat që keni propozuar ju?

Përgjigje: Do të thosha se po. Mund të citoj këtu dy shembuj. I pari ka të bëjë me propozimin e përhapjes së direktivave që kanë të bëjnë me kushtet e mikpritjes të azilkërkuesve që aktualisht është në diskutim në institucionet e BE-së. Parlamenti evropian në maj të këtij viti, miratoi një rezolutë lidhur me bërjen publike të këtyre direktivave. Në këtë rezolutë është pranuar edhe një kërkesë e jona, që ka të bëjë me asistencën fetare për azilkërkuesit e burgosur. Një tjetër shembull të cilit mund t’i drejtohem ka të bëjë me rikthimin e refugjatëve irakianë që gjenden në Siri dhe në Jordani.







All the contents on this site are copyrighted ©.