2009-07-20 19:02:07

Për kureshtje: Papa dhe bekimi me dorën e djathtë: ç’ parashikon ceremoniali.


(20.07.2009 RV)Dje Papa Racinger, ndonëse me kyçin dorës të vënë në allçi, ia doli mbanesh të respektojë rregullat liturgjike e të bekojë me dorën e djathtë. Por, edhe në se nuk do ta kishte bërë, nuk do të krijoheshin probleme. Udhëzimet kanonike flasin në përgjithësi, duke u nisur nga parakushti sipas të cilit priftërinjtë ose ipeshkvijtë mund t’i pëdorin të dyja duart.
Ndonëse nuk ka pengesa të ndryshme, ‘Cæremoniale Episcoporum”, që vijon të përdoret në Kishën katolike të ritit latin, nga paragrafi 167, deri në paragrafin 169, përshkruan mënyrën e bekimit, që duhet bërë me dorën e djathtë e cila, sipas traditës së lashtë biblike, i përket pjesës më fisnike të trupit.
Meshtari, pasi hap krahët - lexojmë në tekstin liturgjik - përshëndet popullin, duke thënë: “Zoti qoftë me ju!”. E populli përgjigjet: “E me shpirtin tënd!”. Atëherë meshtari bashkon duart e menjëherë, duke e mbajtur dorën e majtë mbi kraharor e duke ngritur të djathtën, shton: “Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm: Ati e Biri e Shpirti Shenjt”. Të gjithë përgjigjen: “Amen!”. “Ashtu qoftë”.
Natyrisht, mund të ketë edhe përjashtime nga rregulli i përgjithshëm. Në se ndonjë meshtar nuk mund ta përdorë të djathtën, mund të bekojë edhe me të majtën, ashtu si meshtari, që nuk pi kurrë asnjë lloj pije alkoolike, mund të mos e pijë verën nga kelku.
Prej këndej sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, bëri një shaka, që lidhej pikërisht me problemet e mundshme liturgjiko-kanonike të bekimit me dorën e majtë. Që megjithatë, do t’i kishte pasur të gjithë arsyet për t’u përligjur.
Jobi i bekoi të bijtë e Jozefit me të majtën e, në kohë shumë më të vona, Gjon Pali II, kur nxori shpatullën e djathtë në nëntor 1993, përdori për disa javë me radhë dorën e majtë, edhe për të bekuar!







All the contents on this site are copyrighted ©.