2009-07-20 19:01:53

Një turmë e madhe u mblodh dje për Engjëllin e Tënzot në Romano Kanaveze: Papa falënderon për solidaritetin, pas aksidentit.


(20.07.2009 RV)RealAudioMP3 Një turmë prej disa mijëra vetësh e priti dje paradite Benediktin XVI në Romano Kanaveze, qytezë piemonteze në provincën e Ivresë, ku Papa tha njërën nga dy lutjet e Engjëllit të Tënzot të periudhës së pushimeve në mal. Pasi falënderoi mjekët si dhe të gjithë ata, që e ndihmuan këto ditë me mjekime e solidaritet, për të kapërcyer pasojat e aksidentit të së premtes së kaluar, që i shkaktoi thyerjen e kyçit të dorës së djathtë, Ati i Shenjtë ia kushtoi reflektimin e Engjëllit të Tënzot temave të enciklikës së tij të re ‘Caritas in Veritate’, duke i ftuar të gjithë të punojnë për një ardhmëri, në të cilën shoqëria dhe ekonomia të përshkohen nga ‘fryma ungjillore”.

Inkurajim e duartrokitje, shumë, të stuhishme, të paprera, kur Benedikti XVI ngriti krahun e djathtë për të përshëndetur e kur, si për shaka, zbuloi allçinë që i mbulonte kyçin. Kështu u prit Papa dje, në orën 12.00, në Romano Kanaveze, në sa hynte në Kishën monumentale, e cila sundon që nga viti 1843 Sheshin, që radhë herë kishte parë një turmë kaq të madhe e kaq entuziaste. Buzëqeshja me të cilën Papa u largua dy ditë më parë nga spitali, parapriu e pasoi gjithë lutjen e Engjëllit të Tënzot, posaçërisht fjalët e para, dalë nga thellësia e zemrës, për t’i falënderuar të gjithë ata, që e rrethuan me dashuri e kujdes këto ditë:
Siç e shikoni, për shkak të aksidentit, lëvizjet e mia janë më të kufizuara, por nuk kufizohet zemra ime, plot me ju, në sa vij t’ju takoj me gëzim të madh! Dëshiroj në këtë çast t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë: janë të shumtë ata, që në këtë çast më shprehën, në forma të ndryshme, afërsinë e simpatinë e tyre e u lutën për mua, e kështu u fuqizua rrjeti i lutjes, që na bashkon nga të katër anët e botës. Dua, sidomos, të falënderoj mjekët e personelin mjekësor të Aostës, që më trajtuan me aq kujdes, aftësi e miqësi (…). E dua të falënderoj edhe autoritetet e Shtetit, të Kishës si dhe të gjithë njerëzit, që më shkruan e më shprehën dashurinë e afërsinë e tyre”.
Benedikti XVI arriti me auto në qytezën piemonteze një çerek ore para 12-tës, pasi u ul në Skarmanjo, nga helikopteri, me të cilin ishte nisur nga Lë Kombë rreth orës 11. 30. Pas lutjes së shkurtër në kishën kushtuar Shën Pjetrit Apostull e Shën Solutorit martir e përshëndetjes festive drejtuar besimtarëve të mbledhur në Kishë, Papa nënvizoi se kjo vizitë në qytezë ishte shenjë nderimi për ‘bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë’, kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, i lindur më 2 dhjetor 1943 pikërisht këtu, në Romano Kanaveze, ku edhe kremtoi dje Meshën Shenjte. Më pas Benedikti XVI iu përgjigj ipeshkvit të Ivresë, imzot Arrigo Milio, i cili e falënderoi në mënyrë të veçantë për dhuratën e ‘Caritas in Veritate’. Papa hyri menjëherë në temë, duke pohuar se edhe një tokë, që e njeh mirë vlerën e punës, sepse ka jetuar çaste të vështira, të cilat i shtynë njerëzit të emigrojnë për ta gjetur – nuk duhet të harrojë kurrë se, posaçërisht në kohë kritike si këto aktualet, kyçi i bashkëjetesës duhet kërkuar tek solidariteti e jo tek një ekonomi, që mendon vetëm për fitimin:
Por e di se aktualisht edhe këtu, në zonën e Ivresë, shumë familje po jetojnë në një situatë të vështirë ekonomike për shkak të mungesës së vendeve të punës (…). Të dashur miq, mos e humbisni shpresën! Provania hyjnore e ndihmon gjithnjë atë, që bën mirë e mbron drejtësisnë; i ndihmon ata, që nuk mendojnë vetëm për vete, por edhe për të tjerët, të cilët janë edhe më keq”.
Gjatë shekujve – vijoi - forca juaj e vërtetë kanë qenë vlerat themelore të familjes e të respektit për jetën njerëzore, ndjeshmëria për drejtësinë shoqërore, aftësia për të përballuar lodhjen e flijimet, lidhja e fuqishme me fenë e krishterë përmes jetës famullitare e posaçërisht, pjesëmarrjes në Meshën Shenjte. Tani, shtoi Papa:
“Do të jenë po këto vlera, që do t’u krijojnë breznive të sotme mundësitë për të ndërtuar, plot shpresë, ardhmërinë e tyre, duke krijuar një shoqëri vërtetë solidare e vëllazërore, në të cilën të gjitha fushat, institucionet dhe ekonomia përshkohen nga fryma e Ungjillit”.
Duke uruar që kontributi i ‘Caritas in Veritate’ të ndikojë në mobilizimin e të gjitha forcave pozitive për përtëritjen e botës, Benedikti XVI i përshëndeti në mënyrë të veçantë të rinjtë, pa harruar të rriturit, të cilët kanë përgjegjësi për edukimin e tyre:
“Këtu, ashtu si kudo, duhet pyetur ç’tip kulture u propozohet atyre; ç’shembuj e modele u propozohen, e të vlerësohet në se u japin zemër të ndjekin rrugën e Ungjillit e të lirisë së vërtetë. Rinia është plot pasuri, por duhet ndihmuar ta mposhtë tundimin për të ecur në rrugë të lehta e të rreme, e të gjejë rrugën e Jetës së vërtetë e të plotë”.
Në përfundim të reflektimit, para se të thoshte lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI, siç kishte bërë në fillim, vlerësoi lart pasurinë e traditave të krishtera e të vlerave të Kanavezes, gjë që e dëshmon edhe numri i madh i thirrjeve për t’iu kushtuar Zotit e të afërmit në jetën meshtarake e rregulltare, posaçërisht në familjen saleziane, së cilës i përket edhe kardinali Bertone. Trojet tuaja u mbrujtën shpejt me gjak martirësh – tha Ati i Shenjtë - i cili kujtoi posaçërisht Shën Solutorin. Përfundoi më pas, duke e nxitur bashkësinë dioqezane të impenjohet gjithnjë më shumë në fushën e edukimit e të shoqërimit të të rinjve, që duan t’ia kushtojnë jetën Zotit, duke u mbështetur fort në ndërmjetësimin e Zojës së Yllit, që vigjëlon nga mali me të njëjtin emër, i cili lartohet madhështor mbi Ivrenë.
Së fundi, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, siç ishte parashikuar, Benedikti XVI e kaloi drekën në shtëpinë e lindjes së kardinalit Bertone. Familjarët e Hirësisë së Tij e pritën te pragu i portës, ku kishin vendosur një pllakëz, përmes së cilës e falënderonin për vizitën.







All the contents on this site are copyrighted ©.