2009-07-20 19:02:57

40 vjet më parë njeriu shkelte në Hënë. Fjalët e Palit VI


(20.07.2009 RV)RealAudioMP3 Bekimi i Palit VI, 40 vjet më parë, shoqëronte zbritjen në Hënë të tre astronautëve amerikanë: Neil Armstrong, (Nil Armstrong); Edwin Aldrin (Edvin Olldrin) e Michael Collins (Majkëll Kollins), në bord të anijes kozmike Apollo 11.
“Gloria a Dio! E onore a voi uomini artefici della grande impresa spaziale!”.
“Lavdi Zotit! E nderim ju njerëz, autorë të sipërmarrjes së madhe kozmike”.
Me gëzim e kënaqësi Pali VI përshëndeste këtë aventurë të jashtëzakonshme, që i krijonte globit tokësor mundësinë të mos shikohej më si kufi i pakapërcyeshëm i jetës njerëzore, por si prag nga i cili do të mund të nisej drejt hapësirave të pakufishme e fateve të reja. Papa fliste prej Kastel Gandolfos, ku e kishte ndjekur, jo pa ankth, në televizon, këtë ngjarje, një nga më të mëdhatë në historinë e njerëzimit:
“Nder e lavdi të gjithë atyre, që e bënë të mundur këtë fluturim tejet të guximshëm! Nderim ju të gjithëve, që u impenjuat në mënyra të ndryshme. Nderim ju, që, të ulur pranë aparateve tuaja të mrekullueshme, i drejtoni, që i tregoni botës veprën e orën, e cila zgjëron në thellësitë qiellore sundimin e urtë e guximtar të njeriut”.
Pastaj fjalët e drejtpërdrejta ‘protagonsitëve të ekspeditës:
“Honour, greetings and blessings to You, conquerors of the Moon…
Nderim, përshëndetje e bekime ju, ngadhënjyes në Hënë, dritë e zbehtë, mbi netët tona e mbi ëndrrat tona: çojani, me praninë tuaj, zërin e Shpirtit Shenjt, himnin e Hyjit, krijuesit tonë e Atit tonë”.
Në se Krishti është zanafilla e fundi i Kozmosit “Nuk kemi frikë – reflektonte Pali VI të nesërmen e sipërmarrjes ‘tejet të guximshme’ – se feja jonë nuk di t’i kuptojë zbulimet e fitoret, që arrin njeriu në gjithësi e se ne, ndjekësit e Krishtit, jemi të përjashtuar nga kundrimi i tokës e i qiellit e nga gëzimi i zbulimit të tyre progresiv e të mrekullueshëm. Në se do të jemi me Krishtin, do të jemi në udhë, do të jemi në jetë, do të jemi në dritë të vërtetë!”.
Pastaj - kujtonte Pali VI – nevoja për Zotin është e skalitur në natyrën njerëzore e, sa më shumë të përparojë, aq më shumë e ndjen, deri në tronditje, deri në një farë përvoje dramatike, nevojën për Zotin. Prandaj - shtonte Papa Montini – feja katolike jo vetëm nuk trembet nga një ballafaqim i tillë i fuqishëm i doktrinës së saj të përvujtë me pasuritë e mrekullueshme të mendimit shkencor modern, por e dëshiron këtë. E dëshiron, sepse e vërteta, ndonëse ka kategori të ndryshme e mbështet në prova të ndryshme, është në harmoni me vetveten, është unike: sepse është reciprok përfitimi, që mund të ketë feja nga kërkimi shkencor e nga studimi i çdo fushe që njihet deri më sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.