2009-07-20 18:03:47

35 vjet më parë Turqia pushtonte Qipron. Sot, BE-ja përpiqet ta ribashkojë ishullin.


(20.07.2009 RV)RealAudioMP3 Më 20 korrik 1974, Turqia sulmonte ishullin e Qipros, duke shkaktuar krizë në marrëdhëniet me Greqinë, e cila pas grushtit të mëparshëm të shtetit, kishte një ndikim të madh në vend. Nga ajo ditë, ishulli mbeti i ndarë në dy pjesë: veriu i njohur vetëm nga Ankaraja dhe jugu, i cili, gjithnjë në orbitën e Athinës, që nga viti 2004 bën pjesë në Bashkimin Evropian. Është një fakt historik, që vuri në diskutim marrëdhëniet brenda NATO-s e që sot, krijon një gjendje të panatyrshme, së cilës Bashkimi Evropian dëshiron t’i japë fund, duke bashkuar dy pjesët e Qipros. Të dëgjojmë mendimin e pedagogut të Studimeve strategjike në Universitetin e Trieshtës, Arduino Paniçia:
Në atë kohë, dukej sikur sulmi do ta ndante NATO-n dhe Evropën më dysh, madje sikur do t’i çonte disa vende drejt konfliktit. Nëse mund të përdor këtë term, 35 vjet më vonë gjendja më duket absolutisht “e ngrirë”. Fatmirësisht, nuk ndodhi më e keqja. Herë pas here, duket sikur po gjendet një zgjidhje e vërtetë, por pastaj kjo nuk ndodh.
Ç’përfaqësonte atëherë Qiproja për Turqinë?
Konsiderohej shumë e rëndësishme, pasi Turqia shihte tek ishulli, që ndodhet në Mesdhe, një degëzim të vetin e kishte frikë se nëse nuk do të vinte kufij, ekzistonte rreziku që Evropa – që në atë moment marrshonte përpara pa u ndalur – të mos i respektonte marrëdhëniet me Turqinë e në thelb, të mos i linte Turqisë asnjë hapësirë në Mesdheun lindor. Kjo nuk ndodhi, por muri dhe kufijtë mbetën e nuk mjaftuan as dhjetëvjeçarë për t’i shembur.
Duke parashikuar se në të ardhmen këto dy pjesë do të bashkohen, si mund të ndërthuren dy realitete ekonomiko-shoqërore, që pa dyshim janë zhvilluar në mënyra të ndryshme?
Besoj se s’mund të bëhet tjetër, veçse të gjendet një zgjidhje e konfederuar, koalicioni. Kjo është e vetmja zgjidhje e mundshme, nëse Bashkimi Evropian do të bënte vërtet shumë më tepër. E kjo zgjidhje është edhe preludi i fundit të problemeve në marrëdhëniet me Turqinë.
Por deri tani, duket se veprimtaria ndërmjetësuese e Bashkimit Evropian nuk ka qenë nga më të mirat e ka munguar…
Ka munguar sigurisht. Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se humb besueshmërinë, nëse bën ndërmjetësuesin nëpër botë e nuk arrin të gjejë një zgjidhje për një problem të brendshëm, siç është ai i Qipros. Sipas meje, duhet të shohim edhe situatat e reja që po krijohen në Mesdhe: disa duken të dëshpëruara, si ajo libaneze, por pikërisht Libani tregon se dalëngadalë, mund të arrihet në bashkimin e një niveli më të lartë, diçka që t’i mbrojë të dyja palët, sidomos nëse nisemi nga parimi i sovranitetit, që mund të kufizohet. Një gjë është e qartë. Qiproja nuk mund të jetë as krejtësisht turke e as krejtësisht greke.







All the contents on this site are copyrighted ©.