2009-07-18 13:17:53

Vizita e Papës në Viterbo e në Banjorexhio, më 6 shtator, paraqitet nga ipeshkvi i qytetit, imzot Lorenco Kiarineli.


(18.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Vizita, që do të bëjë Papa në Viterbo e në Banjorexhio, më 6 shtatorin e ardhshëm, do të jetë një ngjarje e madhe, nga e cila priten fryte të reja shpirtërore për Kishën vendase”. Këtë theksoi ipeshkvi i Viterbos, imzot Lorenco Kiarineli, duke shpjeguar në Këshillin bashkijak e në Këshillin komunal, vizitën baritore të Benediktit XVI në trojet e në qytetin e papëve.
Vizita e Atit të Shenjtë do të ndjekë gjurmët e Shën Rozës, Pajtore e Viterbos, e të Shën Bonaventurës nga Banjorexhio. Trojet e Viterbos kujtohen vazhdimisht në historinë e Kishës e të papnisë në shekuj. Në Viterbo – kujtoi imzot Kiarineli – u zgjodhën pesë papë. Qyteti, ku janë varrosur 4 papë, ka strehuar, në kohë të ndryshme, 50 pasardhës të Shën Pjetrit. Kjo vizitë, prandaj, do të shërbejë për një lulëzim të ri e për lindjen e një stine të re kishtare, mbi rrënjët e thella të stinëve të vjetra, që jetuan këto troje.
Por vizita e Papës është, mbi të gjitha, takim me banorët vendas. Benedikti XVI – vijoi imzot Lorenco Kiarineli – do të arrijë në Fushën e Sportit e më pas do të shkojë në Pallatin e Papëve, prej nga do të pëshëndesë banorët vendas. Më pas do të shkojë në Vale Faul për të kremtuar Meshën Shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Pasdite do të shikojë makinën e Shën Rozës e do të shkojë në katedralen e Pajtores së Viterbos. Do të vizitojë, më pas, Shenjtëroren e Zojës së Lisit, ku do të lutet, i shoqëruar nga murgeshat e klauzurës të Viterbos. Do ta vijojë vizitën në Banjorexhio, ku do të shkojë për t’u gjunjëzuar para relikes së vetme që ka mbetur nga Shën Bonaventura. Do të dalë, pastaj, në sheshin pranë Shenjtërores, prej nga do t’u drejtojë fjalën qytetarëve të pranishëm e, së fundi, do të rikthehet në Kastel Gandolfo. Ipeshkvi vendas, imzot Kiarineli, i shpreh kështu dëshirat për këtë vizitë:
"Do të desha që të jenë në plan të parë dy realitete. Bariu, i cili vjen për të na përforcuar në fe, të ngjallë në zemrat e të gjithëve nevojën e besimit e gëzimin që lind prej tij. Të përtërijë fenë, posaçërisht në zemrën e breznive të reja, e energjinë, që tregon cakun drejt të cilit shkojmë e të bën të dashurohesh me të. Së dyti, në një shoqëri të copëzuar, ku shpesh herë është e vështirë të flasësh për kulturat, përvojat fetare, ekonominë e politikën, dëshiroj që uniteti të ketë epërsi mbi ndryshimet e opinioneve dhe që shoqëria jonë të ngrihet me të vërtetë mbi shtyllat e lirisë, të vërtetësisë, të dashurisë e të drejtësisë. Besoj se vizita e Papës, me mesazhin e tij e me lutjen e tij, do të jetë një dhuratë e çmuar, që duhet ta ruajmë e ta bëjmë të sjellë fryte të begata”.







All the contents on this site are copyrighted ©.