2009-07-18 13:35:23

Vatikani e Rusia po shkojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve diplomatike.


(18.07.2009 RV)Kështu shprehet kryeipeshkvi i Moskës, imzot Paolo Peci, në një intervistë për gazetën “L’Osservatore Romano”, organ i Selisë së Shenjtë. Në vend, thekson imzot Peci, perceptohet një përmirësim i dukshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe pushtetit civil, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Kjo gjendje i rrit shpresat për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Federatës Ruse.
Kryeipeshkvi shpjegon në veçanti se cilat janë këto sinjale pozitive, si për shembull, njohja e bashkësisë katolike në nivele të ndryshme, favorizimi i qëndrimit në vend të meshtarëve katolikë, sidomos të atyre me origjinë të huaj, bashkëpunimi përsa i përket vendeve të kultit etj.. Nga ana e autoriteteve, thekson imzot Peci, ekziston vullneti i mirë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me katolikët.
Gjithsesi, kryeipeshkvi i Moskës nuk harron se në disa pika, dialogu është akoma problematik. “Në nivelin lokal – specifikon ai – kemi një përgjigje të diferencuar: në disa bashkësi ka sinjale pozitive bashkëpunimi, në të tjera vazhdojnë vështirësitë. Megjithatë, atje ku ka vështirësi, regjistrojmë një interesim më të madh të pushtetit politik qendror”.







All the contents on this site are copyrighted ©.