2009-07-18 13:28:24

Shenjtorët e javës së ardhshme


(18.7.2009 RV) Më 19 korrik, Kisha kremton të Dielën XVI gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit Kishtar, e po më 19 korrik kalendari kishtar përkujton edhe Shën Makrinën, motra e Bazilit të Madh, Gregorit të Nisës dhe Pjetrit të Sebastes e Shën Simakun, papë. Jeta e këtyre shenjtorëve na kujton se dashuria e Atit dhe Birit Hyjnor i zbulohet vetëm njeriut që bëhet i ‘vogël’ e ecën pas Krishtit në Udhën e Kryqit, me bindjen se Zoti nuk i lëshon kurrë dore besnikët e vet.


Të hënën, me 20 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, Shën Elinë profet dhe Shën Aurelin, ipeshkëv i Kartagjenës. Liturgjia e festës së tyre na kujton se Krishti i fton të gjithë njerëzit e shtypur e të nëpërkëmbur, të gjithë ata që janë të lodhur nga fjalët e nga premtimet boshe, të shkojnë tek Ai dhe në Të që është zemër butë e i përvujtë, të gjejnë paqen e vërtetë të shpirtit, atë paqe e realizim të jetës që bota nuk di e nuk mund ta japë.


Të martën me 21 korrik , kalendari kishtar përkujton Shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kapuçin, doktor i Kishës, Shën Praseden romake dhe Shën Ezekielin, profet. Jeta e tyre na kujton se fariseizmi është një sëmundje tinëzare që e dëmton rëndë fenë e vërtetë në Zotin: atij njeriu që ka uri, i jep rregulla, atij që ka etje, i jep fjalë të thata. Vetëm ai që e ka provuar mëshirën e Zotit di t’i lexojë e t’i kuptojë Shkrimet Shenjte dhe situatat e përditshme të jetës njerëzore duke zbuluar gjurmët e Mësuesit Hyjnor.
Të mërkurën e ardhshme me 22 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Marinë Magdalenë, nxënëse e Krishtit, që jetoi me moton: Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria kërkon, pa gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit, pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”.
Të enjten me 23 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Brigjidën, Pajtore Qiellore e Evropës. “Dashuria ime është i Kryqëzuari” ishte motua e saj. Karizma e Shën Brigjidës ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë.


Ndërsa të premten e ardhshme 24 korrik, kalendari kishtar do të kremtojë festën e Shën Sharbel Maklufit, meshtar dhe të Shën Kristinës virgjër. Liturgjia e kësaj dite na kujton se është e kotë të presim mrekulli nga Zoti, kur e kemi humbur nga sytë shenjën e dashurisë Hyjnore, që është Krishti.
 
Të shtunën me 25 korrik, kalendari kishtar kremton festën e Shën Jakut të Madh, Apostull e të Shën Kristoforit, martir. Liturgjia e kësaj dite na kujton se synimi dhe dëshira për të zënë vendet e para, për të arritur në pushtet, i tundon edhe Apostujt si të gjithë njerëzit. E Shën Jaku e zë vërtetë një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin.
Të dielën e ardhshme më 26 korrik, sipas kalendarit, Kisha do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar e po me 26 korrik përkujton festën e Shën Joakimit e Shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, të gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.