Më 19 korrik shënojmë 109-vjetorin e ditëlindjes së Atë Çiprian Nikës, martir i fesë
në Shqipërinë komuniste.
(19.07.2009 RV)Dedë Nika, që më vonë do të merrte emrin rregulltar ndër Françeskan,
Çiprian, lindi në Shkodër më 19 korrik 1900 në familjen e Mëhillit e të Ana Ali Mirashit.
Shkollën e parë e bëri në prehër të prindërve, besimtarë të devotçëm katolikë. Mësimet
fillore e të mesme i kreu në Shkodër, ku ndjeu edhe thirrjen për të ecur në rrugën
e jetës rregulltare françeskane. Veshi zhgunin e Varfanjakut të Asizit më 16 tetor
1916; më 23 tetor 1917 bëri kushtet e përkohshme; më 16 shtator 1921, kushtet e përjetshme,
ndërsa Meshën e parë e kremtoi më 25 korrik 1924. Studioi filozofi e teologji, më
parë në Shkodër e më pas në Austri, ku i përsosi e i kreu studimet e larta. Më 17
qershor 1938 u zgjodh provinçial i Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë; ishte
i pesti provincial shqiptar. Kishte përkrah, si epror kustod, Atë Mati Prendushin.
Në vitin 1941 ishte definitor i Provincës Françeskane, ndërsa në vitin ogurzi 1946
- i burgosur politik, së bashku me 15 fretër të tjerë, ndërmjet të cilëve, pesë martirë
të ardhshëm. Ishte nëntor, kur e arrestuan me akuzën e fshehjes së armëve në kishën
françeskane të Gjuhadolit në Shkodër. Një bashkëvuajtës, që ndau me të qelinë,
e kujton kështu: ˝Në qelinë e vogël ku më flakuen, gjeta një frat të heshtun, të gjujuem,
që lëvizte buzët, por pa lëshue za. Lutej. Fëtyra e tij e përvujtë rrezatonte besim
e shpresë, sidomos kur përsëriste lutjen: “O Ati em, më ndihmo me kenë i dęjë për
hirë e dashtëni tande”. U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948. Hyji i Gjithëpushtetshëm
qiellor ia dëgjoi lutjen. Atë Çipriani mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar
shenjt, i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte
kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim.
E përmbush edhe të gjitha kushtet që në Kishën katolike e lartojnë njeriun në nderimet
e elterit. Po e përfundojmë përkujtimin e 109- vjetorit të lindjes së tij me lutjen:
“Ndermjetëso për ne, që të bâhemi të dęjë për hirë e dashtëni të Krishtit!”.