2009-07-17 19:28:08

Pakistan: nis riatdhesimi i të shpërngulurve, të ikur nga zonat e luftës.


(18.07.2009 RV)Pas dramës së konfliktit, që tronditi rëndë zonën kufitare veri-perëndimore, në Pakistan nis ‘agimi i një fillimi të ri’, veprimtaria për riatdhesimin e të shpërngulurve, që ikën nga fshatrat e tyre për shkak të ndeshjeve të përgjakshme ndërmjet forcave qeveritare dhe forcave ushtarake të fondamentalistëve islamikë. Të paktën 900 vetë, të shoqëruar nga trupat qeveritare, janë tashmë për udhë drejt vatrave të tyre. U shtohen edhe 5000 të tjerë, që do të nisen së shpejti. Vapa mbytëse e kampeve të refugjatëve dhe domosdoshmëria për krijimin e një situate më të sigurtë në këtë zonë, e cila pak muaj më parë ishte teatër luftimesh të pandërprera, çoi në vendimin e nisjes së refugjatëve, me hamendjen se mund të jenë më të sigurt në fshatrat e tyre, sesa në kampe. Shumë nga të shpërngulurit qenë të gatshëm për t’u rikthyer në vend. Disa të tjerë pohuan se nuk janë ende gati të vihen për udhë. Druhen nga rreziku i shpërthimit të valëve të reja të dhunës, posaçërisht në zonën e Svatit. Duan të sigurohen mirë se kur të kthehen, nuk do t’u mungojnë shërbimet e bazës. Jo më pak shqetësohen për atë që i pret: si do t’i gjejnë shtëpitë e braktisura për ngut, kur ikën nga fshati? Në të vërtetë shumë prej tyre do t’i gjejnë të rrënuara, ose nuk do të gjejnë asnjë shenjë nga streha, që lanë. Janë pasojat e natyrshme e të tmerrshme të konfliktit!







All the contents on this site are copyrighted ©.