2009-07-17 18:37:50

Gripi i ri, i pandalshëm


(17.07.2009 RV)RealAudioMP3 Kalojmë tani në një argument tjetër të rëndësishëm: flasim për të ashtuquajturin “gripi i ri”, apo gripi i derrave, siç u quajt fillimisht. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se virusi është përhapur në 6 muaj shumë më shpejt se sa viruset e pandemive të mëparshme. Ajo ka këshilluar vaksinimin e popullsisë dhe mbajtjen nën kontroll sidomos të zonave, ku virusi paraqitet si më agresiv e madje shkakton vdekjen. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka caktuar tashmë 1,8 miliard dollarë për të luftuar pandeminë. Mbi këtë alarm të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të dëgjojmë drejtorin e Institutit të sëmundjeve infektive në spitalin “Agostino Gemelli” të Romës, prof. Roberto Kauda:
Patëm disa paralajmërime nga fundi i prillit, kur mbërritën sinjalizimet e para, se diçka e lidhur me një grip të ri, që fillimisht u quajt “i derrave”, po ndodhte në Meksikë. Që nga ai moment, mbërritën një sërë informatash dhe u bëmë gjithnjë e më të vetëdijshëm se nuk ndodheshim përpara një alarmi të zakonshëm, por përpara asaj që më vonë u deklarua pandemi. Një pandemi që nuk na gjen të papërgatitur. Të përpiqemi të kuptojmë se ç’po ndodh. Jemi në një fazë pandemike, domethënë në shumë anë të botës verifikohet një numër i rëndësishëm rastesh. Në këtë moment, vendet më të goditura janë SHBA-të, Meksika dhe Britania e Madhe. Në Itali, të infektuarit janë rreth 200 e janë raste të importuara.
Ç’duhet të presim në muajt e ardhshëm?
Duhet të presim që numri i të infektuarve të rritet, prandaj ka gjasa që miliona italianë të zënë shtratin me këtë sëmundje. Sot, kjo sëmundje – e shpresojmë të mos e ndryshojë këtë prirje – është krejtësisht beninje. Personalisht, kam parë disa raste të gripit të ri e mund të them se pacientët janë shëruar shpejt, më shpejt se nga gripi i zakonshëm. Do të vazhdojë apo jo kështu, këtë askush nuk mund ta thotë. Prandaj, nuk duhet ta nënvleftësojmë pandeminë, pasi ajo është e rëndësishme, e mund të ketë ndikime si në shëndetësi, ashtu edhe në ekonomi e në jetën e kombeve të caktuara e të botës në tërësi, por, në krahasim me të kaluarën, kemi më tepër armë, në veçanti vaksinën, për të zvogëluar efektet e kësaj pandemie.







All the contents on this site are copyrighted ©.