(16.07.2009 RV)40 vjet më parë, pikërisht më 16 korrik 1969, nga SHBA-të fillonte
udhëtimi i parë i suksesshëm i njeriut drejt Hënës. Pas pesë ditësh, më 21 korrik
(sipas orës evropiane), në sipërfaqen hënore do të vinin këmbën tre astronautët e
parë të misionit “Apollo 11”, Neil Armstrong, Edwin Aldrin dhe Michael Collins. Qe
një nga fitoret më të mëdha të njerëzimit, pasojat e së cilës ndihen edhe sot. “Këtu
njerëzit e planetit Tokë, për herë të parë vunë këmbë në korrik të Vitit të Zotit
1969. Kemi ardhur në paqe për krejt njerëzimin”. Poshtë këtij mesazhi, firmat
e tre astronautëve, që e lanë targën mbi sipërfaqen hënore. E bashkë me të, edhe një
disk (pararendësi i Kompakt Diskut të sotëm) me mesazhet e 73 personaliteteve nga
e gjithë bota, ku Papa i atëhershëm Pali VI firmoste pjesë të marra nga Psalmi n.8. Pali
VI e ndoqi me interesim të jashtëzakonshëm zbarkimin e njeriut mbi Hënë, foli në audiencat
e përgjithshme të atyre ditëve dhe u dërgoi një mesazh, menjëherë pas zbarkimit, presidentit
të atëhershëm amerikan, Riçard Nikson dhe tre austronautëve. Kronikat e kohës tregojnë
se Pali VI ndodhej në Spekolën e Vatikanit në Kastelgandolfo dhe para se ta ndiqte
zbarkimin minut për minut, qëndroi në këmbë duke e vështruar Hënën për një kohë të
gjatë, gati në lutje. “Këtu, ju flet ju astronautëve, nga Spekola e tij
në Kastelgandolfo, pranë Romës, Papa Pali VI – thuhet në mesazhin e Atit të Shenjtë.
Nderime, përshëndetje e bekime për ju, fitimtarë mbi Hënë, dritë e zbehtë e netëve
dhe e ëndrrave tona! Çoni atje, me praninë tuaj, zërin e shpirtit, himnin kushtuar
Zotit, Krijuesit dhe Atit tonë. Ju jemi pranë me ndjetet e lutjet tona. Ju përshëndet,
sëbashku me krejt Kishën Katolike, Papa Pali VI!” Janë së paku 30 mijë,
objektet e ndryshme të prodhuara duke përdorur teknologjinë e eksperimentuar në vitet
e garës për zbarkimin në Hënë ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Shumë prej
tyre janë bërë tashmë të zakonshëm për jetën e përditshme. Mjafton të kujtojmë pëlhurën
“goretex” të tutës së astronautëve, që sot përdoret për xhakoventat; zinxhirat me
ngjitje-shqitje në vend të komçave apo zinxhirave metalikë; çëmçakizët me fluor dhe
veshjen me teflon të tenxhereve, etj. Sipas ekspertëve, 25 miliard dollarët që NASA
shpenzoi për misionin kanë qenë “investimi më i mirë që nga koha kur Leonardo da Vinçi
bleu një fletore për skicat e tij”. Për çdo dollar të shpenzuar atëherë janë fituar
tre. Tek zbarkimi në Hënë e kanë origjinën edhe mikroprocesorët me të cilët ndërtohen
kompiuterat, fillesat e fabrikave moderne të robotizuara, ushqimet e liofilizuara,
që gjenden tashmë në çdo supermarket, orët me kuarc, pajisjet shtëpiake me bateri
të rikarikueshme, si edhe teknologjia bazë për satelitët meteorologjikë e telekomunikimet
e zbatime të tjera në mjekësi.