2009-07-15 17:12:20

Më 24 korrik Muzejtë e Vatikanit hapen edhe natën nga 19 deri në 23, rezervimi i biletave bëhet përmes internetit


(15.07.2009 RV)Për shumë njerëz, që e dëshriojnë prej kohe këtë mundësi, Muzejtë e Vatikanit përgatiten të arrijnë një ‘rekord’ të ri: atë të hapjes në orët e vona të natës. Të premten, më 24 korrik – sipas një komunikate – Muzejtë e Vatikanit do të kenë një orar të jashtëzakonshëm për vizitat, ndërmjet orëve 19 e 23, me hyrjen e fundit për ata që kanë regjistruar emrin përmes kanalit të internetit, në orën 21. 30. Do të jetë një përvojë e pashembullt, e jashtëzakonshme për vizitorët, të cilët do të mund të sodisin perëndimin e diellit mbi Bazillikën Shën Pjetrit e mbi Kopshtet e Vatikanit nga Oborri i Mburojave ose nga dritaret e galerisë së Hartave Gjeografike, ose të vizitojnë Stancat e Rafaelit e kapelën Sikstine në paqen e në heshtjen e natës, e akoma, të përshkojnë galeritë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit në dritë-hijen e në qetësinë e ndajnatës, që të krijon mundësinë t’i kundrosh më qetësisht stolitë e panumërta.
Për ta kënaqur një kureshtje të tillë – njoftojnë Muzejtë e Vatikanit, është i domosdoshëm regjistrimi on line – me çmim 4 euro – që duhet realizuar përmes kanalit zyrtar të Muzejeve të Vatikanit, ndërsa në rastet e vizitave të tjera, çmimi do të mbetet ai që ishte: 14 euro i plotë e 8 euro i reduktuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.