2009-07-14 16:49:41

Afërsia e Papës me bashkësitë e krishtera të Irakut të goditura nga atentatet


(14.09.2009 RV)Shperthen përsëri dhuna kundër kishave të krishtera në Irak. Benedikti XVI i dërgon mesazh kardinalit Deli, Patrik i Babilonisë së Kaldejve në Bagdad për atentatet kundër kishave të krishtera.Në një sërë atentatesh të shtunën dhe të dielën në Bagdad u vranë katër vetë që gjendeshin afër vendeve të kultit dhe 40 të tjerë u plagosën. Sipas burimeve kishtare tetë janë kishat në të cilat ishte vendosur lëndë eksplozive. Atentatorët kanë pasur si qëllim të godasin besimtarët sepse të gjitha shpërthimet kanë ndodhur nga fundi i riteve fetare. Rasti më i rëndë sipas agjencisë së lajmeve France Press, ndodhi të dielën pasdite në afërsi të kishës kaldee Notre Dame, në Palestajn Strit. Nga shpërthimi i një autobombe mbetën të vrarë katër persona, dy prej të cilëve të krishterë dhe 21 të plagosur, ndër të cilët 15 besimtarë të krishterë.
Në një mesazh që mban firmën e kardinalit Sekretar i Shtetit të Vatikanit Tarçizio Bertone, dërguar kardinalit Emanuel III Deli, Patrik i Babilonisë së Kaldejve, Benedikti XVI garaton lutjet dhe afërsinë e tij shpirtërore me bashkësinë katolike dhe ortodokse irakiane. Papa, lexohet në mesazh “lutet për kthimin e zemrave të autorëve të kësaj dhune dhe i inkurajon autoritetet që të bëjnë gjithçka është e mundur për promovimin e një bashkekzistence të drejtë dhe paqësore në të gjithë sektorët e popullsisë irakiane.”
Duke folur për atentatet e fundit kryeipeshkvi i Bagdadit Zhan Benzhamin Sleiman tha se bëhet fjalë për sulme që kanë si qëllim nxjerrjen e të krishterëve jashtë nga Iraku. Më hollësisht në lidhje me këto sulme në mikrofonin tonë flet Imzot Shlemon Varduni, ipeshkëv ndihmës i kaldejve në Bagdad:
"Pothuajse e kisha parashikuar se do të ndodhte diçka. Gjatë natës u bombarduan Kishat e Shën Jozefit punëtor dhe pak para se të dilte drita më telefonuan se edhe Kisha e Shën Gjergjit ishte sulmuar. Atëherë i telefonova ipeshkvijve dhe meshtarëve duke i porositur të jenë të kujdesshëm. Fola edhe me disa drejtues të ushtrisë. Më pas shkova për të kremtuar Meshën dhe gjatë kremtimit u lutëm për paqën dhe sigurinë. Pas përfundimit të Meshës dolëm në oborr të kishës ku përshëndeta njerëzit. Pak më vonë dëgjuam thirrjet e njerëzve, shumë qanin dhe pastaj fëmijët që bërtisnin, më pas zjarri dhe tymi. Nuk dinim se çfarë të bënim. Më pas erdhën forcat qeveritare, disa fqinj, edhe myslimanë. Atëherë vumë re se dy të rinj mungonin në apel. Ishin vrarë. Kishte edhe 25 apo 30 të plagosur…..".







All the contents on this site are copyrighted ©.