2009-07-13 16:55:18

Takimi i Papës me Obamën, në faqet e para të mediave: ndërmjet shumë pikave të reflektimit, ajo mbi abortin.


(13.07.2009 RV)RealAudioMP3 Një ngjarje tejet e pritur, që nuk i zhgënjeu shpresat: takimi parë i Benediktit XVI me Barak Obamën, të premten e kaluar në Vatikan, tërhoqi fuqimisht, siç parashikohej, vëmendjen e mjeteve ndërkombëtare të komunikimit. U pasqyruan temat kryesore, të prekura nga Papa e nga Presidenti i SHBA-ve, sidomos tema e mbrojtjes së jetës. E, prej këndej, tema e kërkimeve shkencore mbi qelizat staminale embrionale, lidhur me të cilat administrata Bush pati mbajtur një qëndrim më të afërt me atë të Kishës, ndërsa Obama flet për hapjen e disa rrugëve, që nuk mund të mos krijojnë shqetësime serioze. Është, pastaj problemi i mprehtë i abortit, prej vitesh i ligjëruar në botën anglosaksone, e jo vetëm në të. Kisha ka qenë e vijon të jetë kundër abortit e Presidenti Obama u impenjua ta kufizojë sa më shumë që të jetë e mundur numrin e ndërprerjeve të shtatzanisë në SHBA. Për këtë premtim flet, në mikrofonin e Radios sonë, Xhon Alen, vatikanist i CCN dhe i National Catholic Reporter:

Përgjigje: - Nuk është hera e parë, që i thotë këto gjëra. Është një vijë, të cilën Obama e ka ripohuar tashmë disa herë, kjo e dëshirës për ta reduktuar numrin aktual të aborteve. Natyrisht është hera e parë që e thotë në prani të Papës, e kjo i jep impenjimit të tij më shumë vlerë morale. Gjithsesi, sipas meje, ky impenjim për të pakësuar numrin e aborteve, për ipeshkvijtë e për shoqatat amerikane ‘në mbrojte të jetës’, nuk është i mjaftueshëm sepse, në fund të fundit, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një çështje parimi: ligjet kombëtare duhet ta mbrojnë jetën njerëzore, apo jo! Sipas meje, mbetet ky mospajtim ndërmjet vijës së Kishës, që kërkon mbrojtjen kushtetuese të jetës - e vijës së Shtëpisë së Bardhë, që në këtë kah nuk është në favor të kësaj mbrojtjeje.

Pyetje: - Ja, Xhon Alen, sipas jush ç’kuptim i jepni dhuratës së dokumentit mbi ‘Dinjitetin e njeriut, që i bëri Papa Presidentit amerikan?

Përgjigje: - Sipas meje, ka dy arsye, që të shtyjnë ta nënvizosh këtë dhuratë. E para, me këtë Papa ripohoi se është me ipeshkvijtë amerikanë, që vijojnë ta kumtojnë mesazhin e Kishës në mbrojtje të jetës.
E dyta, është një shembull, që tregon sesi duhen kapërcyer mospajtimet ndërmjet Kishës e Shtëpisë së Bardhë: me respekt të plotë. E, me sa duket, Obama nuk është larg mendimit të Kishës, arsyetimit të Kishës, e shpresa për mundësinë e afrimit të mendimeve e gjen plotësisht shprehjen e vet në dhuratën e Papës.

Pyetje: - Mendoni se, pavarësisht nga këto mospajtime, mund të gjinden rrugë të përbashkëta?

Përgjigje: - Natyrisht aborti – ndonëse pikë themelore – nuk është e vetmja pikë. Ka edhe argumente të tjera, për të cilat Papa e Presidenti pajtohen plotësisht. Procesi i paqes në Lindjen e Mesme, për shembull; disa pika në fushën e ekonomisë, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ... më duket se në këto fusha ka mundësi të mëdha bashkëpunimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.