2009-07-13 16:54:39

Sulme kundër Kishave në Irak: imzot Nazhim: forca të errëta kundër unitetit në vend!


(13.07.2009 RV)RealAudioMP3 Në Irak vijojnë sulmet kundër vendeve të krishtera të kultit: janë goditur gjashtë kisha në Bagdad; një sot paradite në Mosul, në veri të vendit, ku është shpallur ndalimi i qarkullimit. Ndërkaq lind pyetja: pse shpërtheu kjo valë e re dhune?
4 të vdekur e 34 të plagosur në gjashtë atentate – e jo në 5, siç u njoftua në fillim – kundër kishave të krishtera të Bagdadit, ndërmjet së shtunës e së dielës, në të gjitha zonat e qytetit. Sulmi i fundit, mbrëmë, rreth orës 23, kundër Kishës së Shën Jozefit në lagjen perëndimore. Ndërmjet kishave të goditura, edhe ajo e Shën Marisë, ku kremton imzot Shlemon Varduni, ipeshkëv-ndihmës kalde në kryeqytetin irakian. Mbrëmë, pranë Kirkukut, ra në një pritë, edhe Aziz Rasko Nisan, përfaqësues i shquar i bashkësisë së krishterë të Domizit, pranë Kirkukut. E sot paradite – një lajm tjetër i hidhur për të krishterët: një autobombë shpërtheu në lagjen Faisalia të Mosulit, duke dëmtuar rëndë si Kishën e Zojës së Fatimës, ashtu edhe xhaminë shiite përbri saj, për fat të mirë, pa shkaktuar viktima. Për t’u kujtuar, pastaj, edhe bomba e vendosur në një rrugë të provincës Dhi Qar, në jug të Irakut, nga shpërthimi i së cilës shpëtoi për mrekulli makina me të cilën udhëtonte ambasadori amerikan, Kristofër Hill. Lind, në mënyrë të natyrshme, pyetja: pse ky shpërthim i ri atentatesh kundër të krishterëve? Disa hamendësojnë se në këtë valë të re ka gisht Al Kaeda, ndërsa të tjerë e shikojnë lidhur ngushtë me zgjedhjet provinciale në Kurdistanin irakian, si paralajmërim për zgjedhësit e krishterë.
Atentatet kundër të krishterëve, janë atentate kundër mbarë popullit irakian: për këtë është thellësisht i bindur Monsinjor Filip Nazhim, përfaqësues i Patriarkanës kaldeje të Irakut pranë Selisë së Shenjtë e vizitator apostolik për besimtarët kaldej në Evropë, intervistuar nga Radio Vatikani:

Përgjigje: - Është një sulm çnjerëzor për të ngadalësuar procesin e paqes dhe stabilitetin e vendit; duan t’u kallin tmerrin njerëzve, sidomos të krishterëve, që të largohen sa më parë nga Iraku. Sulme ka pasur edhe në Mosul, ku u godit një xhami bri kishës, e cila u dëmtua, ashtu si edhe kisha. Është më se qartë se sulmet drejtohen kundër etnive, që përbëjnë popullin irakian; prandaj është sulm kundër vetë Irakut e kundër popullit të tij, i cili një ditë do të mund të radhitej përsëri në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare.

Pyetje: - Pak më parë trupat amerikane u tërhoqën nga rrugët kryesore të qyteteve irakiane; kjo mund të krijojë idenë se sulmet po kryhen nga grupe, forca e të cilëve u duk se kishte shterruar. E keni edhe ju këtë përshtypje, apo keni frikë nga një valë e re dhune?

Përgjigje: - Sigurisht e shfrytëzuan këtë tërheqje të trupave amerikane nga qytetet. E sigurisht janë forca të errëta, që veprojnë kështu. Këto bombardime e këto sulme nuk i ka bërë kurrë vetë populli irakian. Realiteti tregon se myslimanët e të krishterët në Irak kanë jetuar gjithnjë në një atmosferë tolerance, kanë qenë gjithnjë të bashkuar dhe e kanë ndërtuar krah për krah këtë vend, që sot forcat në fjalë duan ta shkatërrojnë. Nuk duhet harruar: të krishterët janë edhe irakianë!

Pyetje: - Ju, në të kaluarën, keni theksuar se sulme të tilla kanë objektiva fetare, por edhe se synojnë ta zhdukin inteligjencien në Irak….

Përgjigje: - Sigurisht, sepse kemi parë shumë e shumë irakianë, profesionistë të botës së kulturës e të shkencës, duke u larguar nga vendi: janë sulmuar profesorë universitarë, mjekë, inxhinierë e madje edhe vetë universitetet e shkollat, për të goditur kështu edhe të rinjtë, që duan ta vijojnë jetën e tyre në mënyrë normale, në shërbim të ndërtimit të një ardhmërie më të mirë në vend. Janë goditje kundër vetë bashkësisë irakiane. Këto forca të errëta, që po dalin përsëri në skenë, s’kanë bërë tjetër, veçse ta ngadalësojnë ardhmërinë e këtij vendi, e, po të vijojnë kështu, do ta ndalojnë fare. Mijëra e mijëra vetë po largohen nga Iraku, Iraku po humbet trurin, për t’u krijuar terren të lirë pikërisht ‘forcave të errëta’, gjë që nuk është tipike vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet ku këto forca duan të sundojnë të patrazuara. Prandaj duhet ndërhyrë sa më shpejt, për t’i dhënë fund këtyre goditjeve kundër popullit të pafajshëm irakian, sepse ka vuajtur edhe tepër nga një situatë e tillë.







All the contents on this site are copyrighted ©.