2009-07-13 17:20:15

Papa në Engjëllin e Tënzot: thirrje për Hondurasin.Të luftohen padrejtësitë sociale


(13.07.2009 RV)RealAudioMP3 Sfidat botërore, në qendër të impenjimeve të G8, dhe impenjimi i Kishës në planin shoqëror e në mbrojtje të jetës, ishin problemet kryesore, që theksoi Ati i Shenjtë në lutjen djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, shoqëruar me një thirrje të fuqishme, ngarkuar me shqetësim, për situatën në Honduras. Benedikti XVI i njoftoi besimtarët për pushimet e tij të afërme në bjeshkë e, duke kujtuas pushimet, i porositi të gjithë ata që, si Papa, nisen për disa ditë çlodhjeje, t’i respektojnë rregullat rrugore e të jenë sa më të kujdesshëm në timon.

“Në botë ka shpërpjestime shoqërore e padrejtësi strukturore, që nuk mund të lejohen më e që kërkojnë, përveç ndërhyrjeve të detyrueshme e të menjëhershme, një strategji të koordinuar, për rrugëzgjidhje globale të qëndrueshme”: kjo është pjesa më e rëndësishme e reflektimit të Papës i cili, në prag të G8, botoi Enciklikën e tij, titulluar ‘Caritas in Veritate”, kushtuar pikërisht problemeve më të mprehta shoqërore, që trondisin botën e sotme e që:
Në kohën tonë janë bërë rrënjësisht çështje antropologjike, në kuptimin se kanë të bëjnë me vetë mënyrën e konceptimit të qenies njerëzore, e cila po lihet gjithnjë më shumë në dorën e vetë njeriut e të bioteknologjive moderne”.
“Duhet një planifikim i ri ekonomik, që ta rishestojë zhvillimin në përmasa globale, duke u bazuar mbi themelet etike të përgjegjësisë përpara Zotit e përpara njeriut, si krijesë e Zotit. Duke kujtuar se Kisha nuk ofron rrugëzgjidhje teknike, Papa nënvizoi:
Kisha nuk ka rrugëzgjidhje teknike për të paraqitur por, specialiste në humanitet, u ofron të gjithëve mësimin e Shkrimit Shenjt për të vërtetën mbi njeriun dhe kumton Ungjillin e Dashurisë e të drejtësisë”.
Benedikti XVI tërhoqi vëmendjen mbi atë, që e quajti ‘absolutizëm i teknikës”:
“Rrugëzgjidhjet e problemeve aktuale të njerëzimit, nuk mund të jenë vetëm teknike, por duhet t’i kenë mirë parasysh të gjitha kërkesat e njeriut, që është i pajisur me shpirt e me korp…”. “Absolutizmi i teknikës, i cili gjen shprehjen e vet më të lartë në disa praktika, të cilat i kundërvihen jetës”, mund të shkaktojë skena të zymta për ardhmërinë e njerëzimit”.
“Aktet, që nuk e respektojnë dinjitetin e vërtetë të njeriut – thotë Papa – edhe kur duken të motivuara nga ‘arsye dashurie”, në të vërtetë janë fryt i konceptimit material e mekanicistik të jetës njerëzore, që e katandis dashurinë pa vërtetësi, në një guaskë të zbrazët, për ta mbushur arbitrarisht”, gjë që mund të ketë pasoja negative për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor. Papa shtoi se megjithë ndërlikimet e situatës së sotme, Kisha e shikon ardhmërinë e njerëzimit me shpresë dhe u kujton të krishterëve se ‘kumtimi i Krishtit është faktori i parë dhe i kryesor i zhvillimit”.
Më pas, Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën në Honduras, ku uroi që:
“Udhëheqësit e kombit dhe të gjithë banorët e tij të ecin me durim në rrugën e dialogut, të mirëkuptimit reciprok e të pajtimit. Kjo bëhet e mundur në se, duke kapërcyer prirjet përçarëse, secili përpiqet të kërkojë të vërtetën e të punojë me guxim për të mirën e përbashkët: ky është kushti për të siguruar bashkëjetesën paqësore dhe jetën e vërtetë demokratike”.
Së fundi, njoftimi për fillimin e pushimeve në Vale D’ Aosta të Lë Kombë, vend që u bë i njohur në të gjithë botën, kur Gjon Pali II nisi t’i kalojë këtu pushimet - shpjegoi Papa – e që edhe unë e dua shumë. Ati i Shenjtë e përfundoi lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, me një ftesë drejtuar besimtarëve, që të luten:
Lutja nuk njeh largësi, as ndarje: kudo që jemi, na bën një zemër e vetme e një shpirt i vetëm”.
E në sa kujtoi pushimet, Papa shfrytëzoi rastin për t’i porositur edhe një herë shtegtarët që nisen, të jenë të kujdesshëm në timon e ta respektojnë me vëmendje shumë të përqendruar rregulloren rrugore.
Ndërsa gjatë përshëndetjeve në shumë gjuhë, reflektoi:
në gjuhën frënge, mbi pasurinë e së dielës, kohë për të pushuar e për të dëgjuar zërin e Zotit;
në anglisht, një mendim drejtuar shtegtarëve të ardhur nga Sidnei, ku një vit më parë Ati i Shenjtë kremtonte Ditën Botërore të Rinisë;
në gjuhën polake, urimi që pushimet verore t’i mbushin të gjithë me entuziazëm e zell të ri;
në italisht, një përshëndetje e posaçme ‘Misionarëve të Shëlbimit Hyjnor’, besimtarëve të Trukut; të rinjve të veprimit katolik të Novolit si dhe ‘Miqve të biçikletave’ të Spoltores, pranë Peskarës, që kishin ardhur me biçikletat e tyre në Sheshin e Shën pjetrit, duke u ndaluar këtu për njërën nga etapat e shtegtimit në tendopolin e zonave të Abrucos, të dëmtuara nga tërmeti.







All the contents on this site are copyrighted ©.