Më 13 korrik, Kisha katolike përkujton Shën Esdren
(13.7.09 RV)Shën Esdra njihet si autor i Librave të 15-të e të 16-të të Biblës,
ndonëse libri i 16-të quhet i Nehemisë. Të shkruar me të njëjtin stil, të krijojnë
idenë se janë fryt i së njëjtës penë. Dy librat janë vijim i Librit të Kronikave,
ndoshta të të njëjtit autor, shkruar në shekullin III para Krishtit. Esdra, prej
fisi priftërinjsh, siç e dëshmon gjenealogjia e gjatë që paraqet në libër, ishte skribë
apo shkrues, specialist në ligjin e Moisiut. Duhet sqaruar se roli i skribëve
ka pasur një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në historinë e Izraelit: kryenin punën
e sekretarit në administratën mbretërore e, posaçërisht pas shpërnguljes, u specializuan
në shkrimin dhe shpjegimin e Ligjit mozaik, duke u bërë komentues zyrtarë të tij. Në
Librin e Kronikave, që i paraprin Librit të Esdrës, populli i zgjedhur vuan në mërgim,
i shpërngulur me dhunë në mbretërinë e Babilonisë, ndonëse nuk e ka humbur shpresën
për një të ardhme të lumtur, veçanërisht pas shpalljes së dekretit të Kirit, mbretit
të Persisë, për riatdhesim. Për ta përcjellur hap pas hapi këtë riatdhesim dhe
formimin e judaizmit, Esdra na la dy libra: atë që mban emrin e shenjtit dhe atë të
Nehemisë. Të dy librat në fillim përbënin një libër të vetëm, që njihej si Libri i
Esdrës. Më pas, e pikërisht në kohën e krishterimit, u nda në dy pjesë, ndërsa titujt
‘i Esdrës’ dhe i ‘Nehemisë’ nisin të përdoren vetëm në vitin 1448, në Biblën hebraike
të Bombergut. Libri flet për riatdhesimin e izraelitëve që ishin shpërngulur me
dhunë në mbretërinë e Babilonisë, për rikthimin në trojet e të parëve, për formimin
e judaizmit si kombësi dhe ripërtëritjen fetare e kombëtare. Nis me arritjen e
karvaneve të para të të riatdhesuarve në Jeruzalem nën drejtimin e Sabasarit dhe me
ndërtimin e Tempullit. Vijon me ardhjen e dytë të riatdhesuarve në vitin e shtatë
të Artakserksit, nën drejtimin e Esdrës, prift e skribë, që reformon besimin dhe kultin
hyjnor, duke dënuar ashpër martesat e përziera. Kujdesi kryesor i Esdrës përqendrohet
në përtëritjen e bashkësisë së besimtarëve judenj dhe të Tempullit të Jerusalemit,
gjithnjë mbi bazën e Ligjit të Moisiut. Duke medituar ç’e gjeti popullin e zgjedhur
për shkak se harroi Zotin, Hyjin e etërve të vet dhe në ç’mjerin e çoi kjo harresë,
Esdra bën çmos t’i rikthejë bashkatdhetarët tek Ati i gjithëpushtetshëm. Izraeli
i varfër, mëkatar, i rrahur e i përplasur nga dallgët e mërgimit, i skllavëruar, i
mposhtur, i poshtëruar kombëtarisht, shtetërisht, moralisht e fetarisht, e shikon
si veniten ëndrrat e lumnisë së dikurshme. Por megjithatë vijon të ndjejë thirrjen
për ripërtëritje shpirtërore, që do t’ia kthente nderin si popull i zgjedhur. E risimi
shpirtëror dhe shoqëror mund të arrihet edhe sot përmes respektimit të ligjit të Moisiut,
sidomos të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot, përkryer më tej nga ligji i dashurisë së
Krishtit, bazë e çdo përtëritjeje për të gjitha vendet e për të gjitha kohërat.