2009-07-13 16:55:51

Kosovë: 40 parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të nëntorit 2009


(13.7.2009 RV)Rreth 40 parti politike do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës ka bërë të ditur sot Komisioni Qendror Zgjedhor. Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar vendimi që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të riemërohen në zyrtarë të lartë komunal të zgjedhjeve ndërkaq edhe përkundër kundërshtimeve të dy anëtarëve të KQZ-së është miratuar Drafti i strategjisë për informim publik për zgjedhjet të nëntorit 2009.
Në mbledhjen e rregullt të Komisionit Qendror Zgjedhor, kryetarja e komisionit, Nesrin Lushta ka bërë të ditur se ka kërkuar nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe USAID-it që të vëzhgojnë zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Ndërsa kryesuesja e Zyrës për regjistrimin e partive politike, Miradije Mavriqi tha se rreth 40 parti politike kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e nëntorit. “Në zgjedhjet e nëntorit nga lista që kam këtu do të marrin pjesë, 19 parti politike shqiptare, 6 serbe, 7 parti politike boshnjake, 1 turke, 1 gorane, 1 egjiptase, 1 rome, 2 parti politike ashkaliane, 1 parti malaziase dhe është kandiduar një kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Obiliqit i cili është Aziz Bici” , tha Mavriqi.
Ndryshe është bërë e ditur se Partia Nacional Demokratike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, kurse do të marrë pjesë Koalicioni Vakat i përbërë nga 3 parti politike boshnjake.
Përsa i përket komunave u njoftua se për garën e kryetarit të Prizrenit vetëm sa është formuar koalicioni i parë i përbërë nga LDD, BSDAK dhe Balli Kombëtar.
Anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor kanë miratuar në parim rekomandimin e këshillit për personel për ri-emërimin e zyrtarëve komunal të zgjedhjeve.
Së fundi edhe përkundër kundërshtimit të dy anëtarëve të KQZ-së u miratua strategjia për informim publik të prezantuar nga Këshilli për operacione zgjedhore. Nga rtk







All the contents on this site are copyrighted ©.