2009-07-11 18:35:14

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(12.07.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e 15-të të Kohës së zakonshme gjatë viti kishtar. Përkujtoi edhe Shën Gjon Gualbertin, abat dhe Shenjtorët Naborin e Feliçin, martirë milanezë.

Të hënën do të kremtohen Shën Enriku II perandor; Shën Esdra, skrribë dhe Shën Sila, dishepull i apostujve. Fillon leximi i Librit të Daljes, epopeja e madhe e një populli skllav i cili, me ndëhyrjen çlirimtare të Zotit, rigjen identitetin e vet. Edhe rruga në të cilën Jezusi na fton të ecim, s’ është tjetër, veçse ‘dalje’ nga vetvetja, për t’u nisur drejt Atit qiellor.

Zoti i qorton rëndë qytetet, që i panë shenjat e mrekullitë, të cilat shoqëruan predikimin e Jezusit, por nuk e njohën, nuk deshën ta besojnë. Qortimi vlen edhe për ne, që të mos i shpërdorojmë dhuratat e hirit. Këtë na kujton, të martën, festa liturgjike e Shën Kamilit de Lelis, meshtar, themelues i Kongregatës të Shërbëtorëve të të Sëmurëve.

Të mërkurën do të përkujtohet Shën Bonaventura nga Banjoregjio, kardinal, ipeshkëv i Albanos e dijetar i Kishës, françeskan. Në liturgjinë e festës, Zoti, nga kaçuba e ndezur, e siguron shërbëtorin e vet, Moisiun: “Unë do të jem me ty!”. Kur i beson detyrën e vështirë t’i prijë popullit drejt lirisë, është gjithnjë përkrah tij, e ndihmon, i hap rrugën, që çon në kryerjen e misionit.

Të enjten, Zoja e Karmelit na fton të gjithë t’i përgjigjemi thirrjeve të Zotit, të vetmit mësues, që meriton të ndiqet: “Ejani pas meje”; “Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë!”.

Liturgjia e së premtes, ditëfeste e Shenjtorëve Marçelina, virgjër, motër e Shën Ambrozit, ipeshkëv; Aleksi e Leoni IV papë, na kujton se shpesh herë në Ungjill farizejtë paraqiten si roje të mëkateve të të tjerëve, të vërteta qofshin, apo jo. Por mëkatet e tyre, që s’duan t’i shohin – e që ua kujton Jezusi - janë shumë më të rënda. Kryesorja, nuk e kanë kuptuar fare ç’do të thotë ‘mëshirë e Zotit’.

Fjala e Zotit e së shtunës, kur Kisha do të kremtojë festën e Shën Emilianit martir; të Shën Brunos së Senjit, ipeshkëv e të Shën Federikut, na kujton se mënyra si sillet Jezusi, e bën t’i ngjasë gjithnjë më shumë shërbëtorit të Hyjit, kumtuar nga Izaia profet: me butësinë e tij i ndihmon njerëzit në mjerimet e tyre fizike e shpirtërore, në sa tashmë kanë nisur të komplotojnë kundër tij.

E diela e ardhshme është e 16-ta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.