Kryevjetori i Ditës XXIII Botërore të Rinisë: Sidnei 2008.
(12.07.2009 RV)Një vit më parë
Benedikti XVI u jepte këtë njoftim të rinjve, mbledhur në Sidnei: World Youth Day
2011 will take place in Madrid, Spain (Dita Botërore e Rinisë 2011 do të mbahet në
Madrid të Spanjës). Të rinjtë spanjollë e pritën me brohoritje të fuqishme, njoftimin
që dha Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mbarim të Meshës me të cilën përfundoi
Ditën e 23-të Botërore të Rinisë të Sidneit. Shumë nga të rinjtë spanjollë u ngjitën
në elterin papnor, duke shpalosur bluzat e kuqe me shkrimin “Sidnei 2008- Madrid 2011’. Përvojë
e jashtëzakonshme, jehona e së cilës vijon, e do të vijojë deri në Ditën e ardhshme
të të rinjve, Madrid 2011. Mozaik shumëngjyrësh, i formuar nga djem e vajza ardhur
nga të katër anët e tokës, të bashkuar në fenë e vetme në Jezu Krishtin. – do t’i
quante Papa këto ditë të paharueshme e do të shtonte: “Të rinjtë shtegtarë, në këto
Ditë ndërkombëtare, të filluara nga Gjon Pali II, janë dëshmitarë të dashurisë së
Krishtit. Këto takime formojnë etapat e një shtegtimi përmes udhëve të planetit, për
të treguar sesi besimi në Krishtin na bën të gjithëve bij të një Ati të vetëm, që
është në qiell, dhe ndërtues të qytetërimit të dashurisë”. Në Sidnei posaçërisht
u fitua përvoja e qendërsisë së Shpirtit Shenjt, protagonist në jetën e Kishës e në
jetën e besimtarit të krishterë. E kështu kjo Ditë Botërore u shndërrua në ditë Rrëshajësh,
nga e cila rinisi misioni i të rinjve, që janë të thirrur për të qenë apostuj të bashkëmoshtarëve,
ashtu si shumë shenjtorë e të lum. Çdo djalë e çdo vajzë ftohet të ndjekë shembullin
e tyre, të ndajë me të tjerët përvojën personale të Jezusit, që ua ndryshon jetën
miqve të tij me forcën e Shpirtit Shenjt, Shpirtit të dashurisë së Hyjit.