2009-07-11 18:38:14

Figura e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqipërisë, vendoset në Kopshtet e Vatikanit.


(12.07.2009 RV)RealAudioMP3 Të premten e kaluar Benedikti XVI bekoi një figurë të Zojës e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve, realizuar me teknikën e mozaikut, që u vendos në Kopshtet e Vatikanit. Është e njëjta figurë e mrekullueshme e Zojës, që nderohej me përkushtim të veçantë e që njihej si Zoja e Shkodrës, sepse e vendosur në Kishën rrëzë Kështjellës Rozafa, sot Shenjtërore e mbarë shqiptarëve. E njëjta figurë që, më 25 prill 1467, u shkëput nga muri i Shenjtnores për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake e që sot ndodhet në Gjenacan, pranë Romës. E njëjta figurë, e riprodhuar artistikisht, që u rikthye në Shqipëri së bashku me Papën Vojtila. Prandaj, duke bekuar figurën, Papa Benedikti XVI rikujtoi shtegtimin e Gjon Palit II në Shenjtërorn e Gjenacanit, më 22 prill 1993, tri ditë para se shtegtonte drejt Shqipërisë.
Në këtë ngjarje fatlume për shqiptarët, ishin të pranishëm edhe autori i mozaikut, Gabriele Mattiaçi dhe bamirësi, Kamilo Anastasi, që financoi punimin, realizuar në Studion e mozaikut të Fabrikës së Shën Pjetrit, në Vatikan.
Ndërsa Figura e Zojës, që ndodhet në Gjenacan, është e pikturuar në një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjërë 40 centimetra. Qëndron pothuajse në ajër, duke u mbështeur paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Allçia, mbi të cilën është realizuar piktura, është e dëmtuar nga koha në shumë vende. Shekujt i kanë shkaktuar plasa të vogla, por nuk kanë mundur t’ ia zbehin bukurinë e freskinë.
Po të kemi parasysh se në rrjedhë shekujsh pati disa tërmete dhe se gjatë luftës së fundit, një bombë e fuqishme shpërtheu pak metra larg figures, duke shkatërruar absidën, të lind vetvetiu pyetja: “Si mundi të qëndrojë Ikona, pa rënë copë-copë përdhe?”.
Në këtë figurë, koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu, sepse në Shqipëri asokohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejt flokët.
Koha kur u krijua kjo kryevepër arti, jo më kot sot e denjë të qëndrojë në Kopshtet e Vatikanit, pranë kryeveprave më të mëdha që krijoi njerëzimi në shekuj, si dhe autori i saj, nuk dihen me siguri. Studiues të shumtë shprehin mendimin se është frymëzuar nga ikona bizantine ‘Zoja e Lume e Ëmbëlsisë’.
Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua piktura. Augustiniani Atë Sanxhorxho, duke interpretuar imtësisht qëndisjet që zbukurojnë grykën e veshjes së Krishtit Fëmijë, ka arritur t’i lexojë si firmë e shkruar së prapi. Është një emër: “A.Viva”.
Atë Sanxhiorxho ka shtruar për diskutim hamendjen se Figura e mrekullueshme e Gjenacanit mund të jetë vepër e artistit venecian, Antonio Vivarini (1415-1476).
Kjo hamendje vë në dyshim mendimet, që janë shprehur deri më sot, më shumë të bazuara mbi dëshirat, sesa mbi të dhënat konkrete të historisë së artit, se piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar shqiptarë, që përmenden në veprën e Gelçiçit.







All the contents on this site are copyrighted ©.